Në podcastin “Flasim” këtë të Shtunë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë me Karl Roberts, ish-menaxher i TAP në vend (Projekti i Gazsjellësit Trans Atlantik). Teksa ndau ndjesitë që ka marrë nga puna në Shqipëri, ai tregoi edhe arsyen pse ka vendosur të jetojë 60% të kohës këtu. “Isha në Zvicër, shefi më tha shko në Shqipëri. E mirëprita sepse Zvicra është Zvicra, ka një organizim shumë të mirë, por është e mërzitshme. Të Dielën gjithçka është e mbyllur. Isha entuziast! Më pëlqejnë vendet si Shqipëria”, tha Roberts. Ndërsa Rama shtoi se “në termat e burokracisë, Shqipëria bën pjesën e saj më të mirë”.


Më tej, “ustai” britanik theksoi se gjëja që e ka lehtësuar më së shumti punën e tij këtu është ekipi dhe mbështetja nga autoritetet.

“Ishte frika nga e panjohura, por në realitet skuadra punoi ngushtë me mua. Morëm shumë mbështetje, në momentin që mbaruam me një paketë, ishte e lehtë. Puna në ekip, mund të shkoja edhe në ministri, trokisja në derë dhe më mirëprisnin. U ndjeva i befasuar me forcën e punës që kishim, mendova se na duheshin shumë ekspertë nga jashtë. Për t’i sjellë njerëzit në TAP, pjesa në terren ishte më e vështira me mbi 12 orë. Megjithatë krijuam një ekip që ishte ndër më të mirët, aksionerët e panë këtë. Kishim dhe një menaxher ndërtimi i cili tha se disa nga shqiptarët që punojnë për ne do i merrja kudo në botë. Kjo e lehtësoi punën. Nëse e trajnon vendasin me respekt, i thua çfarë të bëjë, ai do e bëjë.”

Roberts thotë se vendosi që të qëndrojë në Shqipëri gjatë kohës që punonte për TAP, periudhë që përkoi me fundin e karrierës së tij.

“Kam jetuar larg shtëpisë, në vende të ndryshme, vendosa të dal në gjysmë pension. Shqipëria ishte vendi i duhur! Karrierën e nisa në Kazakistan në 1992-in ku kalova 12 vjet në tre projekte të ndryshme. Ishte rrugëtim magjik, i mirë dhe i keq. Më pas në Singapor në Mianmar. Më pas e zhvendosa familjen në Burma. Një regjim ushtarak shumë i varfër e me shumë kufizime. Pastaj shkova në Trinidad në Karaibe, vend i pasur në naftë e gaz dhe metanol. Është prodhuesi më i madh në botë i metanolit, por kur shkoja në terren shihje njerëz që laheshin buzë rrugës me ujë. S’kishte ujë të rrjedhshëm. Vendi ishte i pasur, por jo për të gjithë njerëzit në ishull… Isha dhe në Australi.”

Pas 40 vitesh karrierë, ai vendosi të jetojë mes Londrës e Tiranës.

“Kam një apartament pranë TEG-ut. E bëj vajtje-ardhje Shqipëri-Britani, por më shumë jam këtu. Atje jetoj në Devon pranë Londrës, është një jetë me kontraste. Është e vështirë të rri në një vend, atje kam një shtëpi 130 vjeçare dhe me një oborr të madh, këtu jo. Por ky kontrasti më mban të anagazhuar. Të rrija në një vend do bëhesha shumë nervoz.“

Pyetjes së kryeministrit se pse nuk zgjodhi Britaninë e Madhe ashtu siç kanë bërë një pjesë e mirë e shqiptarëve, iu përgjigj kështu:

Mbretëria e Bashkuar ka shumë sfida, e kuptoj pse njerëzit shkojnë. Por duhet vënë në ekuilibër cilësia e jetës. Unë u rrita në një qytezë industriale pranë Manchesterit, atëherë kishe komunitetin pranë dhe argëtoheshim më shumë. I shoh këto vlera familjare këtu tani. Njerëzit atje nuk kujdesen për familjen kaq sa shqiptarët.

“Duhet të bësh dy punë, përndryshe nuk ia del dot. Sigurisht ka aspekte më të mira për fëmijët, por koha e shpenzuar me familjen është 0”, përfundoi Rama.

E.D/tvklan.al