Ipeshkvi i Rëshenit, Dom Gjergj Meta, një prift katolik shumë popullor dhe në mediat sociale, ka ngritur herë pas here shqetësimin për largimin e të rinjve nga vendi.

Ai vetë i pari ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm për frenimin e këtij fenomeni, sidomos në zona të varfra të veriut të vendit ku ai shërben. Ka hapur me ndihmën e Kishës Katolike një shkollë profesionale në Rrëshen ku afro 400 të rinj nga Mirdita, Lezha, Kurbini, por dhe zona më të largëta si Kukësi, Mati e Dibra, mësojnë për të marrë një profesion.

“Kemi degë si Hoteleri-Turizëm, Elektroteknikë, Informatikë, Shërbime Mjetesh e Transporti, Instalues Sistemesh Hidrosanitare.”

Duke parë kërkesat e larta dhe suksesin që ka kjo nismë e Dom Gjergjit për kualifikimin e të rinjve, qeveria ka vendosur të nisë një partneritet me kishën katolike për të investuar në zgjerimin e kapaciteteve, por dhe përmirësimin e kushteve të konvikteve, mensës dhe vetë shkollës profesionale Shën Josif Punëtori.

“Keni për ta parë si do ta bëjmë ne këtë shkollë.”

Drejtori i shkollës, një prift italian që flet rrjedhshëm shqipen, tregon se afro 60 për qind e të rinjve gjejnë punë që në vitin e 4 të shkollës, ndërsa të tjerët menjëherë sapo përfundojnë arsimin profesional.

Tv Klan