Të 43 emigrantët e transferuar disa ditë më parë në qendrën e pritjes së Gjadrit në Shqipëri do të kthehen në Itali. Ky është vendimi i marrë pasditen e së premtes nga Gjykata e Apelit të Romës. Gjyqtarët nuk i vërtetuan ndalimet e bëra nga autoritetet italiane.

Sipas mediave vendase efekti i këtij vendimi është i menjëhershëm dhe azilkërkuesit nga Bangladeshi dhe Egjipti brenda se shtunës do të kthehen në Itali dhe do të lihen të lirë. Ndërsa çështja do të dërgohet në Gjykaten Evropiane të Drejtësisë.

Ky është vendimi i tretë i gjykatave italiane kundër qeverisë Meloni për dërgimin dhe mbajtjen në Gjadër të emigrantëve të paligjshëm. Vendimi i parë daton në 18 Tetor dhe kishte të bënte me 12 azilkërkues nga Bangladeshi dhe Egjiptianë të sjellë në qendrën e Gjadrit. Vendimi i dytë mban datën 11 Nëntor.  Këtu përfshiheshin 7 të huaj, të gjithë egjiptianë dhe nga Bangladeshi.

Dërgimi i tretë i emigrantëve të paligjshëm u mor nga qeveria Meloni pasi gjykata e Kasacionit i dha të drejtë për përcaktimin e vendeve të sigurta për emigrantët. Duke i dhënë fund debatit  me gjykatat italiane për këtë çështje.

Por vendimi më i fundit i gjykatës së Apelit të Romës riktheu edhe një herë përplasjet politike në Itali. Partia e kryeministres Meloni e konsideroi atë si bojkotim të politikave të sigurisë nga drejtësia në luftën kundër emigracionit te paligjshëm. Ndërsa opozita e sheh si një dështim të Melonit  marrëveshjen me qeverinë shqiptare për emigrantët e paligjshëm,  duke i kërkuar asaj dorëheqjen.

Tv Klan