Me duartrokitje u prit Mitropoliti i Korçës Hirësi Joan Pelushi, i cili u zgjodh këtë të diel Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Vendimi u mor nga Sinodi i Shenjtë pas liturgjisë hyjnore, duke e emëruar atë pasues të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos.
Në mesazhin e parë si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Hirësi Joan Pelushi shprehu angazhimin e tij për të mbrojtur të drejtat e kishës.
Kryepeshkopi Joan u urua edhe nga Patriarku Ekumenik përmes nje letre. Bartolomeu i Kostandinopojës i uron një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer.
Ceremonia e fronëzimit të tij do të mbahet me 29 Mars.
Kryebariu Joan Pelushi i lindur në Tiranë në vitin 1956 ka një përvojë të gjatë në jetën teologjike dhe kulturore të Shqipërisë.
Qysh në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi. Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria për në SHBA ku kreu studimet në teologji në Boston.
Kur të gjithë donin të largoheshin nga vendi, qysh në vitin 1992, i nxitur nga dëshira për të dhënë një kontribut në rindërtimin e Kishës, ai kontaktoi Kryepeshkopin Anastas dhe i parashtroi vendimin e tij për t’u kthyer në Shqipëri.
Pasi punoi si pedagog, në vitin 1996 u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në vitin 1998 u zgjodh dhe u dorëzua Peshkop, si Mitropolit i Korçës.
Tv Klan