Trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit Edy Reja ka bërë publike sot listën e lojtarëve që ka ftuar për ndeshjen miqësore ndaj Armenisë dhe dy ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kombeve. Në sy bie fakti që Reja nuk ka thirrur “senatorët” e vjetër si Hysaj, Balaj, Cikalleshi, Roshi e Sadiku.

Italiani ka justifikuar këto zgjedhje. Ai u shpreh gjatë konferencës për shtyp se Napoli ka kërkuar që të mos e marrë Hysajn. Roshi është i dëmtuar, Cikalleshi jashtë forme ndërsa Balajn, Reja e ka lënë për këtë ndeshje jashtë pasi e njeh dhe nuk ka çfarë t’i shohë tjetër.

“Nga Napoli më kanë kërkuar që të mos e marr Hysajn dhe klubi më ka kërkuar që të mos e marr për këtë ndeshje. Jemi në një moment të vështirë qoftë nga pandemia, por edhe se shkojmë në një vend me trazira.

Për Hysajn ua thashë që është kjo situatë me Covid te Napoli. Roshi është i dëmtuar nga informacionet që kam nga stafi mjekësor. Cikalleshi nuk është në formën e tij më të mirë sepse nuk ka luajtur. Balajn e njoh nuk kam çfarë t’i shoh tjetër, kështu që e vendosa ta lë shtëpi për këtë ndeshje”, tha Reja.

Në listën e re të Rejas ka vend për të rinj. Trajneri italian u shpreh se ky është edhe objektivi, që në vitin 2024 të jetë ndërtuar një skuadër kompetitive.

“Ka qenë objektivi në momentin që firmosa me Presidentin Duka që të ndërtojmë një skuadër për 2024-n. Pa lënë mënjanë edhe këto eliminatore, por projekti final ishte për të ndërtuar një skuadër kompetitive për 2024-n. Kam menduar t’i jap hapësirë lojtarëve të rinj. Kam marrë lojtarë si Molla, Doka, Çoka Selahi, Kallaku Çekiçi etj, që janë të rinj dhe pas katër vitesh do të jenë më të pjekur. Disa prej tyre i kam marrë në ndeshjet e kaluara por nuk i kam aktivizuar. Kur nuk i aktivizoj është e kotë. Mendova që është moment i mirë për t’i ingranuar gradualisht në skuadër”. /tvklan.al