“Mos pengoni teatrin e ri, është nevojë urgjente”
Një peticion i firmosur nga 54 artistë të njohur u ka bërë thirrje sot Presidentit të vendit, Ilir Meta dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha që të mos pengojnë projektin e teatrit të ri, sepse sipas tyre, është nevojë urgjente për ta.
Mes nënshkruesve janë Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi etj.
Ata përsëritin edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër.
Artistët u bëjnë thirrje atyre që kundërshtojnë për t’i lënë lojërat politike, sepse pikërisht nga këto, komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa teatër.
Për grupimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artistët shprehen se disa i kanë miq, po disa të tjerë as nuk i njohin kush janë ndaj u bëjnë thirrje të ndahen nga politikanët sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe as “tokë e xanun”.
Grupi firmëtar shprehet se peticioni po vazhdon të nënshkruhet edhe nga shumë artistë të tjerë.
Tv Klan