Një 58-vjeçar nga një fshat i Pogradecit është vënë nën pranga pasia tentoi të vrasë fqinjët. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të dielë në Buçimas.
Policia njoftoi se shkoi në vendin e ngjarjes pas njoftimit se dy familje fqinje po konfliktoheshin me njëra-tjetrën.
Sipas tyre 58-vjeçari me iniciale I.H., qëlloi me pistoletë në drejtim të 52-vjeçarit I.J., dhe bashkëshortes së këtij të fundit.
“Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të policisë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes si edhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, i cili mund të sillte pasoja të rënda për jetën”, thuhet në deklaratën e policisë.
Në cilësinë e provës materiale 58-vjeçarit, iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit me 4 fishekë në krehrin e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Vrasja me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./tvklan.al