6 muaj nga shpallja e pavarësisë shtetet islamike vazhdojnë të mos e njohin realitetin e krijuar në Kosovë. E për këtë në Prishtinë po mbahet konferenca me temën “Kosova dhe bota arabe”. E cila synon përmirësimin e imazhit të Kosovës në këto shtete.
Në këtë konferencë marrin pjesë intelektualë nga bota arabe, por edhe publicistë edhe gazetarë nga Prishtina. Të pranishëm në konferencë janë edhe presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i jashtëm Skënder Hyseni.
Në një intervistë për BBC profesori i ri Duan Al-Said, ligjëruesi i studimeve islamike në universitetin e Libanit në Bejrut dhe këshilltari i kryeministrit libanez, tha se në botën arabe ka paragjykime për Kosovën dhe si rezultat i kësaj ka hezitime për njohjen e pavarësisë së saj.
Disa shtete hezitojnë sepse kanë raporte të mira më Serbinë ose me Rusinë. Ndërsa disa arabë të tjerë mendojnë për pakicat e tyre dhe si frikësohen ndarjes. Ka thënë Al-Said duke shtuar se shtetet arabe kanë frikë se problemet etnike do të bëhen të mëdha si rezultat i zhvillimeve në Ballkan dhe në Kosovë.
6 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, atë e kanë njohur vetëm 6 nga 57 shtete anëtare të konferencës islamike, prej të cilave asnjë nga bota arabe./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle