Pa dashur të ndërhyjnë në debatet e brendshme politike në Shqipëri, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi lëshoi nga Tirana një mesazh që lidhet me klimën e tensionuar në vend. Sipas tij, stabiliteti në Shqipëri është në interes të të gjithë shqiptarëve në rajon.
“Unë nuk jam këtu për të dhënë vlerësime për zhvillimet e brendshme në Shqipëri, e dua Shqipërinë, i gjithë kombi e don Shqipërinë stabile, unike, respektim të institucioneve, të Kushtetutës, ligjeve, të demokracisë, të pluralizmit, ndërsa i mbetet vetë popullit të vlerësojnë zhvillimet”.
Çelësin e arritjes së një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, Thaçi e sheh tek një koordinim më i mirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
“Dialogu duhet të zhvillohet i pakushtëzuar, duhet të zhvillohet në suaza të barabarta si dy vende të pavarura dhe sovrane. Unë vlerësoj iniciativën franko-gjermane, në të njëjtën kohë jam jashtëzakonisht inkurajuar edhe me mbështetjen e plotë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj një koordinim maksimal i Bashkimit Evropian dhe SHBA do të mund të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke”.
Këto komente, kreu i shtetit të Kosovës i bëri në përfundim të një ceremonie në Tiranë ku u akordoi dekoratën presidenciale “Urdhëri i Lirisë” 39 personaliteteve nga Shqipëria që ndihmuan popullin e Kosovës gjatë luftës.
Tv Klan