Sabina Kodra ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” si përfaqësuese e filmit “Pikë Uji”. Ky film është përzgjedhur nga emisioni si personazh i vitit 2024 si përfaqësues i Shqipërisë në çmimet Oscars dhe për persistencën në kinematografinë shqiptare. Kodra tha se Akademia e Çmimeve Oscars është duke votuar tashmë dhe se nga SHBA-ja ka shenja të mira.

“Ky është moment fantastik që jam në emision sepse jemi në votim. Akademia është duke votuar. Sigurisht që kemi shenja të mira, që po ecin mirë. Artikulli Variety ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ne. Është nga rastet e rralla që kritika botërore mund të flasë në atë nivel superlativash, kështu që jemi shumë të lumtur”, tha Kodra.

Por çfarë trajton ky film?

Filmi trajton Aidën, me Gresa Pallaska në rolin kryesor, një grua në moshën 45-vjeçare në kulimin e karrierës në Pogradec, e cila po firmos kontratën më të rëndësishme të jetës së saj.

Atë ditë i vjen një telefonatë që djali i saj Marku akuzohet për përdhunimin e shoqes së klasës, Borës.

Këtu nis rrugëtimi i Aidës, që do të vërtetojë që i biri nuk ka kryer krimin dhe duke u përpjekur për të zbuluar këtë të vërtetë, ajo zbulon të vërteta shumë herë më të egra për veten e saj për mënyrën si e ka ndërtuar jetën.

Për ta realizuar filmin, siç tha Kodra, janë dashur 6 vjet punë. Kostoja industriale e filmit 920 mijë Euro dhe vjen si bashkëprodhim mes 5 vendeve ku bashkë me Shqipërinë janë edhe Maqedonia e Veriut, Kosova, Italia dhe Rumania.

Ndërkohë Kodra tha se në Shqipëri ka nevojë për ligje për pjesën e kinematografisë.

“Ajo që ne kemi nevojë janë ligjet. Kemi nevojë për infrastruktura. Kemi nevojë urgjente për ligjin tax incentive, për ligjin audiovizualit, ne nuk jemi varfanjakë, ne nuk kemi nevojë për lëmoshë, jemi potenciale që nëse na jepet infrastruktura e duhur do ta çojmë shumë larg Shqipërinë”, tha Kodra./tvklan.al