Në programin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë i ftuar një 64-vjeçar, i cili ka treguar historinë e vështirë të jetës së tij. Kur ishte fëmijë, ai mësoi se prindërit që e rritën nuk ishin ata biologjikë. I tronditur, kërkon të mësojë të vërtetën rreth nënës biologjike, por ata gjithmonë refuzonin të flisnin për këtë temë.
Në studio, Syrja tregon se prindërit e tij u larguan nga kjo jetë pa i treguar rrënjët e tij biologjike, pa i dhënë një informacion kush ishte dhe nga vinte. Gjithë këto vite e ka kërkuar nënën, por pa asnjë rezultat sepse edhe informacionet që ka gjetur nuk ka qenë të mjaftueshme.
Edhe pse sot është 64 vjet, ai kërkon të gjejë nënën e tij dhe përmes saj familjen e tij biologjike.
Mirela Milori: Çfarë të dhënash ke për nënën tënde të vërtetë?
Syrja Basha: Flitet, gojëdhënat janë që ata kanë qenë çift i ri, janë dashuruar. Thonë që sikur ajo e ka patur babain hoxhë. Gojëdhëna janë, ndoshta s’janë në asnjë vend.
Mirela Milori: Po të dhëna të tjera?
Syrja Basha: Thonë që kanë ardhur prapë si çift, për të më kërkuar mua në Shën Vlash. Kanë marrë adresën, kanë ardhur të më takojnë, se janë bërë pishman. Varet si kanë rregulluar gjërat e tyre, por aty kanë qenë njerëzit e mamit dhe i kanë thënë ka vdekur. Dhe ata ndoshta më dinë të vdekur.
Mirela Milori: Kur nëna jote ndahet nga jeta, me kë fole në lidhje me këtë gjë? Fole me Minen, shoqen e saj të ngushtë?
Syrja Basha: Po, ajo më tha që e ka pasur emrin Asije dhe ka qenë infermiere dhe këtu mbyllet muhabeti. Pyeta një gocën e dajës së mamit dhe ajo tha që është nga Bushati i Shkodrës.
Mirela Milori: Pse e ke këtë kuriozitet që të njohësh kush të ka lindur?
Syrja Basha: Kurioziteti është se kur je duke u plakur qenka më keq kjo punë, të thithka gjaku jot. Se përveç mamit, babit që më rriti, të tjerët kanë qenë kot për mua. Se ka 12 vjet që ka vdekur mami, asnjë nuk vjen më, është ftohur çdo gjë. Por gjaku nuk ftohet kollaj.
Mirela Milori: Si e mendoje nënën tënde?
Syrja Basha: E imagjinoj duke e përqafuar dhe duke e kërcënuar, duke e kritikuar me një fjalë.
Mirela Milori: Po pse?
Syrja Basha: Po nëna është nënë, shpirt. Prandaj kam pasur debulesë për nënën, kam dashur t’i bashkoja të dyja nënat dhe t’i mbaja. Ato janë mrekulli, janë çdo gjë. /tvklan.al