7 persona të ngecur për 20 minuta në një ashensor. Pa dritë, pa ajër dhe pa asnjë buton emergjence. Ky është rasti traumatik i Briseida Xhelajt, mjekes shqiptare që erdhi nga SHBA për të kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri. Teksa rrëfen ngjarjen në “Rudina” në Tv Klan, mjekja përmend heroin e saj që pati fatin ta kishte pranë vetes.
Rudina Magjistari: Ato 20 minutat, si kanë qenë ato 20 minutat që ty t’u dukën si 20 orë të tëra, ti kështu je shprehur. “M’u dukën si 20 orë”. Si e kujton atë moment?
Briseida Xhelaj: Unë zakonisht jam njeri shumë pozitiv dhe iu jap zemër gjithmonë të tjerëve dhe në atë moment fillova të isha pozitive për djalin tim duke i thënë që “s’ka problem, do vijnë dritat, ne do dalim, ke mamin këtu, merr frymë” dhe po e përqafoja. Por kur e pashë që dhe babi nuk ishte mirë, edhe nusja e xhaxhait…Të gjithë filluan të tmerrohen, unë vazhdoja të isha e fortë brenda vetes, por isha edhe gati të shpërtheja në lot e para sepse ndihesha pak fajtore.
Megjithatë, shpresa vdes e fundit dhe mbaj mend që unë i jam lutur xhaxhait dhe i kam thënë “hap derën, godit derën” dhe kjo është një rrezik shumë i madh sepse në momentin që ju hapni derën, mund edhe që ashensori të shkëputet dhe të bjerë me shpejtësi shumë të madhe, mund të ndodhë që të ketë edhe qark elektrik. Kështu që ky është heroi im, xhaxhai im, Kimet Xhelaj, i cili na shpëtoi atë ditë, shumë i fuqishëm dhe çfarë mendoja tjetër kur dola, ishte se ai erdhi për ne atë natë, e nisi Zoti për ne atë natë. Imagjino sikur të kishte ndodhur një natë më përpara kur nuk e kishim. Jemi me fat.
Më pas, Briseida tregon edhe se pronari i hyrjes ka bërë një reagim tërësisht shpërfillës, pavarësisht se familja sapo i kishte shpëtuar një situate për jetë a vdekje.
Briseida Xhelaj: Pronari që ne na ka dhënë hyrjen ka qenë ngjitur me ashensorin dhe unë i kam trokitur, kam bërtitur dhe ai më ka thënë “pse më shqetëson në këtë orë?” Dhe unë kam thënë “si nuk na dëgjon ti ne kur ashensori ka ngecur te dera jote, te hyrja jote?” Ai vërtet nuk e vuri ujin në zjarr dhe unë jam mërzitur shumë sepse ai është i njëjti person që çdo natë e kishte derën hapur dhe unë nuk e kuptoja pse. Domethënë, këto raste kanë ndodhur edhe më përpara dhe zgjedhja e tij ishte që “unë do hap derën time, do dëgjoj zërin dhe do shkoj të hap derën”. Luhet me jetën e njerëzve nga një pronar që është i interesuar për atë 50-Euroshin që merr./tvklan.al