Anketa e BE: Shqipëria është më mirë se Serbia
Shumica dërrmuese e të rinjve shqiptarë duan të formohen profesionalisht dhe të ecin në karrierë. Një anketë e Fondit Europian të Trajnimeve, pjesë e Bashkimit Europian tregon se 73 për qind e të rinjve të moshës 14-34 vjeç duan të ndjekin studimet e larta. Konkretisht, në Shqipëri 11.4% duan të përfundojnë ciklin Bachelor, 34.1 % Masterin dhe 27.3 % Doktoraturën.
Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti që Shqipëria në rajon lë pas vetëm Serbinë për të rinjtë që duan të ndjekin universitetin, pasi vendet e tjera janë pothuajse nga 2-3 pikë më lartë në përqindjen e të anketuarve. Ndërsa në të gjithë rajonin e Ballkanit, numri i të rinjve që duan të ndjekin studimet e larta për të pasur një vend të sigurtë pune kap nivelin e 82 për qindve, pra 9 për qind më shumë se mesatarja e Shqipërisë.
Gjithsesi, synimet e të rinjve shqiptare për nivelet e arsimit të lartë janë të ngjashme me vendet e rajonit si Greqi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, përveçse në Rumani ku vetëm 5,5% e të rinjve synojnë Doktoraturën. Sondazhi i Fondit Europian të Trajnimeve i Bashkimit Europian thotë se shkollat në rajon duhet të zhvillojnë kurrikulat mësimore që të ndihmojnë nxënësit të kuptojnë marrëdhënien ndërmjet niveleve të arsimit, profesioneve e perspektivat e punës. Shumica e të anketuarve përfaqësojnë aspiratat e prindërve të tyre.
Tv Klan