Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në 4 Dhjetor të vitit 1912, pas shpalljes së Pavarësisë, qeveria e Vlorës, krijoi ushtrinë shqiptare për të mbrojtur territoret shqiptare, nga copëtimi i ushtrive të huaja. Deri para dhjetë vjetësh, si datë e themelimit të forcave të armatosura është përkujtuar data 10 Korrik. Sot në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, u organizua një takim për të përkujtuar 88 vjetorin e themelimit të forcave të armatosura të Shqipërisë.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ushtarakë në lirim, si dhe atashetë ushtarakë të akredituar në Shqipëri. Me këtë rast u çel edhe një ekspozitë, në stendat e të cilave pasqyrohej historia e ushtrisë shqiptare, qysh nga 4 Dhjetori i 1912 deri në ditët tona./tvklan.al