Vala e shpërthimeve të biperave-bomba në Liban dhe Siri pasditen e të martës, ku 12 persona u vranë ndër të cilët edhe 2 fëmijë dhe rreth 2800 të tjerë u plagosën, dyshohet se është organizuar nga agjencia izraelite e zbulimit Mosad dhe ushtria e këtij vendi.

Burimet thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se biperat ishin të pajisur me materiale shpërthyes të vendosur nga Mosadi, që në fazën e prodhimit. Biperat janë prodhuar në një fabrikë në Budapest në pronësi të firmës BAC Consulting, për porosi të firmës tajvaneze Gold Apollo, e cila u ka vendosur edhe markën. Ato u importuan më pas nga grupi Hezbollah për militantët e tij.

Në mediat ndërkombëtare thuhet se Mosad u kishte vendosur rreth 5 mijë biperave një shirit të hollë me jo më shumë se 20 gramë eksploziv pranë baterive me litium, siç duket në këtë skemë. Bëhet fjalë për eksploziv për qëllime ushtarake, efektet e të cilit shumëfishohen edhe nga shpërthimi i baterive me litium që po ashtu shpërthejnë lehtësisht, sipas ekspertëve.

Izraelitët i shpërthyen ato para kohe, përpara se Hezbollahu të binte në gjurmë të tyre. Kompania tajvaneze mohoi kategorikisht përfshirjen në këtë ngjarje. Biperat janë pajisje komunikimi të përdorur gjerësisht në fund të viteve ’90 dhe për të dërguar mesazhe audio dhe me shkrim përmes sistemeve të veçanta satelitore.

Në Liban ato përdoren gjerësisht pasi bateria u zgjat deri 85 ditë me një karikim, ideale për një vend ku energjia elektrike mungon në një pjesë të mirë të ditës.

Tv Klan