“Nuk kanë influencuar në përhapjen e virusit”
Shkollat nuk janë vatra infeksioni dhe për momentin nuk mendohet mbyllja e tyre. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka sqaruar këtë të hënë gjatë një konference për mediat të Komitetit të Ekspertëve se rezulton që fëmijët aktualisht nuk janë përhapës të mëdhenj të sëmundjes. Megjithatë, ekspertët po vijojnë t’i monitorojnë me kujdes.
“Në lidhje me shkollat unë e shpjegova që çdo masë që merret merret në bazë të shifrave dhe arsyes që përse janë këto shifra. Fatmirësisht na rezulton, tashmë që shkollat janë hapur prej 2 muajsh nuk po na rezulton që fëmijët të kenë një shpërndarje të infeksionit se sa ka pasur më përpara. Sipas ISHP-së, shkollat nuk janë vatra të infeksionit. Ne po vazhdojmë t’i monitorojmë me kujdes. Kjo është ajo që bëjmë. Kush është fenomeni, aktorët që po bëjnë këtë fenomen dhe shohim me përgjegjësi masat. Sot për sot shkollat nuk kanë influencuar në një ndihmë të madhe të situatës”, tha Rakacolli.
Sipas hetimeve epidemiologjike ka rezultuar se nëse nuk do të ishte përdorur maska, numri i të infektuarve në vend do të ishte më i lartë. Rakacolli tha se ata që janë infektuar në disa raste nuk e kanë përdorur siç duhet maskën. /tvklan.al