Turneu informues mbi votën e emigrantëve i Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla zhvendoset përtej oqeanit, ku këtë javë do të ketë takime me shqiptarë në Michigan, SHBA dhe Toronto, Kanada. 

Përpara takimit të së premtes me shqiptarët në Detroit, Balla u prit nga drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare të shtetit Michigan në SHBA, ku shprehu vlerësimin për angazhimin e tyre në thirrjen për regjistrimin e bashkatdhetarëve, si votues nga jashtë.

“I jap zë apelit të Federatës Vatra që shqiptarët të marrin pjesë në këto zgjedhje. Të votojnë kë të duan. Koha është shumë e shkurtër deri më 4 Mars, ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të regjistrohen. Duhet të jesh shtetas shqiptar dhe të kesh një dokument identifikimi të Shqipërisë”, tha Balla.

Ndërsa falenderoi “Vatrën” për lobimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare, Balla lajmëroi edhe hapjen e një konsullate shqiptare në Miçigan.

“Informacioni që më dhatë, se 200 mijë bashkatdhetarë jetojnë në këtë shtet, e bën të domosdoshme hapjen e një konsullate të Republikës së Shqipërisë në shtetin e Michigan. Ne kemi tashmë modelin e mirë të hapjes së konsullatave të përbashkëta me Republikën e Kosovës, për të pasur këtu një mundësi që shqiptarët të kenë një degë dhe një zyrë ku të adresojnë problematikat nga më të ndryshmet”,u shpreh Balla.

Balla nënvizoi gjithashtu se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm të historisë jo vetëm si anëtar i NATO-s, por edhe në një fazë përmbyllëse të anëtarësimit në BE.

Tv Klan