Kleart Duraj ka një karrierë të gjerë si gazetar dhe menaxher artistik në media. Pasditen e kësaj të marte në studion e “Rudina” në Tv Klan, ai i dha përgjigje një prej pyetjeve që shumë prej nesh e bëjnë. A ka votim gjeopolitik në Eurovizion? Kleart Duraj shprehet që po, duke e argumentuar përgjigjen e tij.

Kleart Duraj: Këtë e thonë të gjithë këngëtarët që ka gjeopolitikë, por që ta arrijnë të kapin këtë nuancë që ne si shqiptarë jemi të pirur të votojmë për një këngë italiane, greke apo ballkanase sepse i kemi afër dhe muzikën e tyre e dëgjojmë shpesh. Por ne i kemi shumë më të rralla rastet kur mund të votojmë për një këngë armene apo polake sepse janë shumë gjeografikisht më larg se ne. Për këtë arsye nevojitet promocioni, sepse kënga fillon të marrë një diapazon më të gjerë dhe fillon të ndiqet akoma më shumë. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme që tregon se përse një pjesë e votimit ngjan gjeopolitik. Por, pastaj që ka një gjeopolitikë më të madhe, unë besoj se po.

Vendi ynë ka marrë pjesë disa herë në Eurovizion, megjithëse nuk është përzgjedhur si fitues, Shqipëria është përzgjedhur jo pak herë në bashkësinë e këngëve më të mira. I pyetur nëse do të kryesojmë ndonjëherë në Eurovizion, Kleart Duarj tha me bindje se “po”.

Kleart Duraj: A ka Shqipëria shanse?! Pa diskutim. Me këta artistë që kemi ne, patjetër që ne do e fitojmë një ditë. Pa diskutim që do e fitojmë një ditë.

Rudina Magjistari: Pra nuk është e pamundur?

Kleart Duraj: Absolutisht që jo.

Rudina Magjistari: Nëse do ta fitonim një ditë, a do të kemi ne mundësi në fakt, infrastrukturë për ta përballuar një organizim të Eurovizionit në Shqipëri?

Kleart Duraj: Ju mendoni se me kryeministrin që kemi ne, që është dhe artist vetë, nuk mendoni se do ta bëjë. Unë nuk e di nëse do të ndërtonte sallë nga e para apo do të përshtaste diçka, por jam i sigurt që do të jepte një zgjidhje dhe Eurovizioni në vetvete është një reklamë shumë e madhe, për vendin dhe për shqiptarët, sidomos në këto kushte ku Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësimin në BE./tvklan.al