Meta shmangu procedimin penal të futbollistit
Në fund të muajit Shtator, futbollisti ganez i Tiranës, Winnful Essua Joseph Cobbina mori pasaportën shqiptare me një dekret të veçantë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Ishte një kërkesë e klubit bardheblu që futbollisti isaj të mos humbte ndeshjen e rëndësishme kundër Young Boys në Zvicër dhe kreu i shtetit e firmosi dekretin në një kohë rekord, për 4 dite.
Meta e ka mbështetur vendim e tij në nenin 9 pika 7 të ligjit për nënshtetësinë ku një i huaj mund të marrë shtetësinë edhe nëse nuk i plotëson kushte të përgjithshme kur ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.
Por pika 6 e këtij neni e ndalon kreun e shtetit të vendosë kaq shpejt pa marrë edhe informacion nga institucione të tjera ligjzbatuese, si Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit apo shërbimet inteligjente pasi mund të cënohet siguria kombëtare.
Dhe nëse kreu i shtetit do të kërkonte një verifikim për futbollistin e Tiranës, do të shihte se 29-vjeçari ka një procedim penal të hapur në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve.
Çështja është regjistruar në Dhjetor të vitit 2019. Ka pak detaje për këtë procedim të Cobbina, por një çështje e tillë, me të cilën vështirë të bëhesh nënshtetas në ndonjë vend të botës, është anashkaluar nga kreu i shtetit.
Winnful Essua Joseph Cobbina ka mbërritur në Korrik të 2018-ës. Vetëm pas 2 vjetësh ai mori nënshtetësinë shqiptare “për merita të veçanta”.
Në Korrik të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri për shtetësinë që forcon kriteret për fitimin e shtetësisë edhe në raste për “merita të veçanta’’ duke kaluar në filtrat e Ministrisë së Brendshme.
Tv Klan