Presidenti Ilir Meta ka reaguar duke shprehur solidarizimin me Turqinë dhe Greqinë që u goditën nga tërmeti i fortë me magnitudë 7 ballë.

Në një reagim për mediat, kreu i shtetit thotë se Shqipëria do t’u qëndrojë pranë vendeve mike me të gjitha kapacitetet e mundshme.

“Thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri. Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq turk dhe grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitet e mundshme të saj”, shprehet Presidenti Ilir Meta.

Tërmeti ra në ishullin grek Samos që ndodhet pranë brigjeve turke duke shkaktuar dëme të mëdha në qytetin Izmir të Turqisë. /tvklan.al