Meta në ditëlindjen e aktorit, shembull skandaloz i shkeljes së ligjit
Shqipëria është duke negociuar me të gjitha kompanitë farmaceutike që do të nxjerrin në treg vaksinën anti-covid, për të siguruar të gjitha dozat e nevojshme që do të përdoren për vaksinimin falas e që do të nisin nga bluzat e bardha, mësuesit e policët.
“Nuk do ta lëmë mangut as këtë detyrim pavarësisht çmimit të vaksinës dhe nuk do të thotë që do të marrim vetëm një lloj. Mund të marrim nga të gjtiha llojet nëse do të kemi mundësi, siç po bëjnë edhe të tjerët”, u shpreh kryeministri Rama.
Në konferencën e përjavshme për fokus ekonominë, që kësaj jave u zhvillua online për shkak të masave anti-covid, Rama në emër të Komitetit të Ekspertëve siguroi se shkollat nuk cilësohen vatra infektimi.
Për këtë arsye do të vazhdojë të funksionojë skenari A, ku nxënësit janë në bankat e shkollave dhe të mos mendohet ende për dy skenaret e tjera që parashikojnë mësimin online.
“Vërtetë që duke mbyllur shkollat i biem më shkurt, por nga ana tjetër pasoja të natyrës psikologjike te fëmijët janë të konsiderueshme”
Kryeministri hodhi sërish poshtë akuzat e opozitës se po fshihet numri i jetëve të humbura nga Covid-19.
“Është teorikisht e pamundur. Nuk janë vota në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, që numërohen sipas qejfit”.
Përsëriti disa herë apelin për të respektuar masat dhe akuzoi kreun e shtetit se u bë shembull skandaloz i shkeljes së ligjit, duke marrë pjesë së bashku me bashkëshorten e tij në ditëlindjen e një aktori humori, në një kohë kur festat janë të ndaluara.
“Shembulli më skandaloz i shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, nga Zonja e Parë dhe nga e gjithë çeta e tyre. Na shfaqen në një spektakël, të pështirë do të thoja, të karshillëkut, jo vetëm me ligjin, por edhe me vetë shëndetin e të tjerëve”.
Rama u ndal dhe te rindërtimi i objekteve arsimore. Në total nga tërmeti i vitit të shkuar janë dëmtuar 155 shkolla nga tërmeti dhe buxheti i kërkuar për to, përfshirë këtu dhe paratë e donatorëve, kap vlerën e 18.5 miliardë Lekëve.
Tv Klan