Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ndalimi i tij u bë pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të policisë së shtetit i shkuan në banesë Beqajt rreth orës 7:30 të mëngjesit për ekzekutimin e masës së sigurisë.

Ata qëndruan deri rreth orës 9, pasi kryen dhe kontrolle të shtëpisë. Pas pak minutash ish-ministri mbërriti në drejtorinë e policisë së Tiranës.

Siç duket edhe nga pamjet, Beqaj u shoqërua nga efektivë të patrullës së përgjithshme. Pasi dha gjeneralitetet dhe iu kryen procedurat ligjore, Beqaj në orën 11 e 30 u dërgua në Bllokun e Sigurisë. Pranë ambienteve të paraburgimit në rrugën “Mine Peza” Beqaj do të qëndrojë deri kur të njihet me masën e sigurisë në gjykatë.

Ai akuzohet për shpërdorim fondesh gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAK.

Ilir Beqaj akuzohet se ka kryer edhe deklarim të rreme që nga viti 2020 pasi ka fshehur interesat pasurore mbi restorantin. Ish-ministri gjithashtu ka fshehur edhe një automjet të blerë në vitin 2019 të cilin e ka vendosur në emër të Ermal Kurtulaj.

Urdhri i ndalimit ndaj tij u firmos nga gjyqtarja Rudina Palloi, e cila miratoi kërkesën e prokurores Elida Kaçkini. Krahas ish-ministrit me masë arrest në burg është edhe Ermal Kurtulaj, dhe Alfred Nikolla.

Masë me e lehtë sigurie është firmosur nga GJKKO për Elton Marini dhe Gazmend Haxhia. Masa për këtë të fundit nuk u ekzekutua pasi rezulton jashtë vendit. Për dosjen e abuzimit me fondet, gjykata firmosi edhe masë detyrim paraqitje. Në datën dhe orën e përcaktuar nga gjykata, Bledar Leka dhe Bjona Zijaj do të paraqiten pranë oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Nga kontrollet e ushtruara në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e një shoqërie tregtare janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47 mijë euro, 700 mijë lekë, dhe aparate telefoni.

Klan News