Tregu i drithërave mund të konsiderohet si një ndër më abuzuesit në Shqipëri.

Edhe pse kuotimi i grurit dhe misrit në tregjet ndërkombëtare ka rënë me dy herë në raport me një vit më parë, çmimi i bukës vazhdon të jetë 80 deri 100 lekë kilogrami.

Nga të dhënat zyrtare të marra në doganën e Durrësit rezulton se nëse në Nëntor të vitit 2007, një ton grurë blihej me 420 dollarë, tani një sasi e tillë kushton më pak se gjysma ose 200 dollarë.

Çmimi i produkteve të drithit u rrit deri në 40% në Shqipëri në kohën e rritjes së tij në vendet nga ku ne importojmë, por ashtu si edhe me tregun e naftës, ndërsa çmimi i importit është përgjysmuar në treg produktet e brumit vazhdojnë të tregtohen pa asnjë ndryshim si një vit më parë.

Arben Ibroja: “Në krahasim edhe me vitin e kaluar po të llogarisim që çmimet e grurit me tani janë një ulje rreth afërsisht 50% në zbritje. Kështu e njëjta gjë ka ndodhur edhe me misrin.”

Rënia e çmimit të drithërave pasqyrohet edhe në bilancin e doganave, ku vlera e zhdoganimeve ka pësuar një ulje dy herë më pak sesa një vit më parë.

Arben Ibroja: “Gruri që vjen nga Evropa dhe kemi të bëjmë me tarifë doganore 0 dhe grurë që vijnë jo nga Evropa që normalisht ka taksën doganore 2%. Edhe zhdoganimi është ulur në raport me çmimin e bursës së grurit, rreth 50%”.

Krahasimi i çmimeve mes këtyre periudhave çon në rezultatin se edhe me drithërat po abuzohet nga grosistët dhe se ky treg i reflekton ndryshimet e çmimeve në vendet e importit vetëm kur ka rritje të produkteve./tvklan.al