Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori 4 punonjës dhe 4 ish-punonjës të ALUIZNI-t të Kamzës dhe Vorës, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Ndër personat e kallëzuar është ish-Drejtori i kësaj zyre.
Sipas një auditi të kryer nga KLSH, këta persona kanë kryer legalizime të jashtëligjshme. Sipërfaqja e legalizuar është 14 mijë m2. Kryesisht janë ndërtime në brigjet e liqenit të Paskuqanit, brigjet e lumit të Tiranës, afër autostradës Tiranë-Durrës dhe Bulevardit të Kamzës.
Gjithashtu një tjetër shkelje e kryer nga zyrtarët është se nuk kanë skualifikuar 1200 objekte të ndërtuara në zonën historike, arkeologjike. Në disa raste janë shmangur procedurat ligjore për arkëtimin e rreth 2 milionë lekëve, të cilat mungojnë në fondin për kompesimin e ish-pronarëve.
Për 13 punonjës të tjerë të zyrave të ALUZNI-t Kamzës dhe Vorë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar drejtorit të këtij institucioni të vlerësojë përgjegjësitë e tyre në këto raste dhe të marrë masa disiplinore.
Tv Klan