Një 17-vjeçar është arrestuar në lidhje me atentatin që ndodhi të shtunën në mbrëmje në Kamzë.

Policia njoftoi se i riu dyshohet se është personi që drejtonte makinën nga e cila u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës tjetër.

Nga hetimet, po ashtu dyshohet se 17-vjeçari, i nxitur nga disa persona të tjerë të përfshirë në këtë rast për të pranuar autorësinë e rastit ka dhënë deklaratë të rreme.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 22.02.2025, në Kamëz, specialistët për Hetimin e  Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga një shtetas 17 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt””, njoftoi policia.

Ndërkohë po punohet për të kapur tre persona të tjerë që janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Mes tyre edhe Enedjon. K që sipas policisë ishte shënjestër e atentatit. Ndërsa dy të kërkuarit e tjerë, Fabion. K e Dejvi. M, janë autorët që qëlluan me armë.

Dy autorët lëviznin me një makinë tip BMW, ndërsa shënjestra dhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar lëviznin me Land Rover.

Dy 24-vjeçarët e shpallur në kërkim Dejvi. M dhe Fabion. K rezultojnë të skeduar dhe të shoqëruar më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa objektivi i atentatit nuk rezulton me ngarkesa penale.

Deri më tani policia dyshon se mund të ketë ndodhur ndonjë konflikt mes të rinjve për lëndë narkotike, që mund të ketë ndikuar më pas edhe në përdorimin e armës së zjarrit./tvklan.al