Probleme në qarkullimin e automjeteve dhe në transportin ajror ka shkaktuar stuhia arktike e dëborës, që ka mbërthyer Britaninë e Madhe orët e fundit.

Dëbora e dendur çoi në mbylljen e përkohshme të disa aeroporteve në vend, atë të Mançesterit, Liverpulit, Birmingamit e Bristolit. Niveli i dëborës arriti në mbi 40 centimetra në shumë vende, duke shkaktuar edhe bllokime të rrugëve.

Në aeroportin e Frankfurtit, dëbora e dendur çoi në anulimin e të paktën 120 fluturimeve. Probleme edhe në vende të tjerë të veriut të Europës.

Edhe në Shtetet e Bashkuara, i ftohti arktik ka mbërthyer disa shtete federale në zonat qëndrore. Gjendje emergjence është shpallur në Kentaki e Virxhinia si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, ndërsa edhe banorët e Misisipit e Floridës janë paralajmëruar se mund të përballen me një të ftohtë të pazakontë për zonat e tyre.

Pritet që ky të jetë i ftohti më i ashpër në 15 vitet e fundit.

Tv Klan