Në 1 Nëntor nis procesi i trajnimit të administratës publike shqiptare nga ekspertët ndërkombëtarë për t’iu përgjigjur pyetësorit që do të garantojë statusin e vendit kandidat në BE.

Janë të paktë … ekspertë ndërkombëtarë që do të angazhohen në këtë funksion. Të parët kanë mbërritur sot nga Kroacia, vendi që shënon eksperiencë të ngjashme me Shqipërinë në këtë drejtim.

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu tha për gazetarët se qeveria dhe administrata publike janë të përgatitur në çdo kohë për t’iu përgjigjur brenda një periudhe sa më të shkurtër pyetësorit.

Majlinda Bregu: “Për ne ky konsiderohet le të themi hapi i parë konkret në zbatim të planit të veprimit që është ndërtuar mbi udhërrëfyesin i cili u miratua me vendim të këshillit të ministrave vetëm para 3 javësh. Kjo do të thotë që ne jemi absolutisht krejtësisht të gatshëm, që të mirëpresim pyetësorin e BE-së të Komisionit Evropian. Pra mendimin që do ti kërkojë nga këshilli, që do ti kërkojë komisionit në përgatitjen e pyetësorit në çfarëdolloj momenti që të vijë. Ne presim që këshilli  t’i kërkojë komisionit avi brenda presidencës suedeze.”

Drejtuesja e grupit negociator kroat me palën evropiane, thotë se ky vend do të ofrojë gjithë eksperiencën e nevojshme që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat.

Dubravka Vlasic Plese: “Kroacia e mbështet plotësisht Shqipërinë në përpjekjet për Integrim Evropian. Ne besojmë se do të jetë pjesë e unionit, ne kërkojmë të ndajmë eksperiencën tonë në këtë drejtim. Kroacia ka kaluar nëpër këtë fazë në vitin 2003, do të jetë një ushtrim i vështirë, do të kërkojë kohë dhe angazhim të plotë të administratës publike.”

Procesi i integrimit do të kërkojë zbatimin e një sërë reformash nga ana e qeverisë shqiptare.

Reforma që kërkojnë shumicë të cilësuar në kuvend, e që dukshëm vihen përballë vështirësisë në kushtet e bojkotit të Kuvendit nga opozita. Lidhur më këtë fakt ministrja Bregu argumenton.

Majlinda Bregu: “Mos pjesëmarrja e opozitës në parlament është përgjegjësi historike. Po aq sa është përgjegjësi historike për këtë qeveri dhe për këtë mazhorancë, që të drejtojë dhe të përshpejtojë reformat për procesin integrues të Shqipërisë në BE. T’iu japim mundësi qytetarëve shqiptar që të shkurtojë me orë dhe me minuta procesin e liberalizimit të vizave për ta. Po kaq është përgjegjësi historike për opozitën, mos pjesëmarrja e saj në parlament. Modalitetet për kushtet dhe kërkesat e opozitës janë të diskutueshme, mund të gjejnë zgjidhje atje ku merret vendimmarrja dhe atje ku janë të gjithë ata të cilët vendosin dhe kanë përgjegjësinë politike për të zgjidhur çështjet problematike të vendit.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi