Qyteti bregdetar i Afrikës së Jugut, Durban, i njohur për plazhet e tij dhe klimën e ngrohtë, po përballet me një krizë të rëndë uji përpara zgjedhjeve kombëtare.
Kriza e ujit e cila ka zgjatur për muaj të tërë ka prekur komunitete të tëra të cilët fajësojnë partinë në pushtet të Kongresit Kombëtar të Afrikës që drejton provincën KëaZulu-Natal, ku ndodhet Durban.
Banorët akuzojnë për keqmenaxhimin dhe korrupsion partinë në pushtet.
Ash Kumar, Banor i Durbanit: Nëse shikoni plazhet këtu ka ndotje të madhe sidomos pas shirave që bien. Mbeturinat në lumenj derdhen në oqean dhe kur të vijë batica ju mund të shihni rezultatin e gjithë kësaj këtu. Është e tmerrshme.”
Në periferitë veriore, shumë banorë po ndihmohen nga organizata jofitmprurëse si “Voice of Phoenix”. Por sërish ndihma të tilla janë të pamjaftueshme dhe nuk zgjidhin në plan afatgjatë krizën e ujit në qytetin afrikan.
Rannie Naidoo, banore e Afrikës së Jugut: Ndihem shumë e trishtuar. Mendoj se ky vend po shkon në një drejtim shumë të gabuar. Vetë presidenti ynë as nuk po na ndihmon më, kështu që jam shumë e zhgënjyer nga e gjithë situata në Afrikën e Jugut . Kjo është pabesueshme. Është e trishtueshme sepse njerëzit po qajnë këtu për ujë. Njerëzit po vdesin.
Kriza e ujit ka shkaktuar gjithashtu një dëm financiar pasi familjet duhet të blejnë ujë të pijshëm çdo ditë.
Partia në pushtet është akuzuar se nuk ka bërë ndërhyrje në infrastrukturën e shkatërruar të qytetit afrikan.
Luthea Saeed, banore e Durbanit: Unë jam votuese e rregullt. Që nga fillimi i vitit 1994, jam votuese në Afrikën e Jugut. Gjithmonë shkoj dhe votoj. Unë dua që zëri im të dëgjohet. Por në këtë moment të tanishëm jemi kaq të dëshpëruar sepse nuk po marrim ndihmë nga këshilltarët, as nga qeveria provinciale, qeverisja lokale apo qeveria kombëtare. Pra, ata përfitojnë. Ata po marrin rrogën ndërsa problemet tona nuk zgjidhen. Nëse ata do ta bënin punën e tyre siç duhet, ne nuk do të ishim në këtë situatë.
Analistët politikë thonë se partia mund të humbasë shumicën e saj në zgjedhjet e përgjithshme të 29 Majit për shkak të pakënaqësisë së gjerë mbi ofrimin e shërbimeve.
Megjithatë, analistët politikë paralajmërojnë se fati i partisë në pushtet do të varet nga fakti nëse partitë kundërshtare do të paraqesin alternativa të besueshme për zgjidhjen e këtij problemi.
Problemet e Durbanit janë shtuar nga përmbytjet e rënda që kanë dëmtuar infrastrukturën. Kriza e ujit nxjerr në pah luftën e Afrikës së Jugut për të ofruar shërbime bazë më shumë se 30 vjet pas përfundimit të aparteidit.
Aktivistët dhe banorët e revoltuar thonë se kjo krizë ka vite që po krijohet. Ata fajësojnë menaxhimin e dobët të zyrtarëve dhe dështimin për të mirëmbajtur infrastrukturën e vjetër të ujit.
Një raport i publikuar vitin e kaluar nga departamenti kombëtar i ujësjellësit dhe kanalizimeve është dëshpërues.
Në këtë raport zbulohet se 40% e ujit në bashkitë e Afrikës së Jugut shpërdorohen përmes rrjedhjeve. Edhe furnizim me energji elektrike i Afrikës së Jugut ka luajtur një rol në problemin e ujit, të paktën pjesërisht.
Ka shumë stacionet kryesore të pompimit të ujit të qytetit të cilat janë prekur nga mungesa e energjisë elektrike dhe kjo ka bërë që qytetarët të vuajnë nga kriza e ujit.
Nëse autoritet nuk ndërhyjnë dhe mirëmbajtja dhe modernizimi i sistemit të ujit nuk merren seriozisht, ky qytet mund të gjendet në një situatë edhe më të zymtë.
Nuk ka nevojë të shikosh larg për të parë se cila mund të jetë e ardhmja. Vetëm dy vjet më parë, qyteti i Afrikës së Jugut, Cape Town, po numëronte mbrapsht deri në “Ditën Zero”, ditën kur të gjitha çezmat do të mbaronin por fatmirësisht e shmangu atë krizë.
Tani banorët në qytetin e Durbanit po pyesin nëse qyteti i tyre mund të bëjë të njëjtën gjë.
Klan News