Grupi i të Urtëve i ngritur nga presidenti Moisiu nuk zëvendëson nismat dhe komisionet e ndryshme të preferuara nga partitë politike, por synon nxitjen e rishikimit të shpejtë dhe efektiv të reformës zgjedhore. Kështu këshilltari politik i presidentit Afrim Krasniqi ka sqaruar idenë e ngritjes së këtij grupi pas reagimeve të partive politike. Sipas Krasniqit, roli i presidentit Moisiu nëpërmjet grupit të të urtëve do të jetë thjesht këshillimor.
Afrim Krasniqi: “Presidenti po bën detyrën e tij kushtetuse dhe ka qënë shumë transaparent në gjithë veprimtarinë e tij, qoftë edhe në marrdhëniet me partitë politike, sepse dhe në rastin konkret kemi të bëjmë me nji, jo me nji strukturë ligjore, por me një grup konsultativ pranë presidentit të republikës këshillimor. Këshillat e presidentit do vlejnë për të marrë një qëndrim nga ana e presidentit dhe ky qëndrim do t’i bëjë, do t’u vihen në dispozicion partive poltike dhe opinionit publik në mënyrë që partitë politike dhe strukturat e përcaktuara insitucionet e përcaktuara nga kushtetuta siç janë parlamenti, të marrin pastaj vendimin përfundimtar, qoftë për propozimet e presidentit, qoftë edhe për mendime të ndryshme që vijnë nga partitë ose nga institucionet e tjera.”
Grupi i të Urtëve parashikohet të mblidhet disa herë nën drejtimin e presidentit Moisiu, takime të cilat nuk do të bëhen publike deri në hartimin e një raporti përfundimtar, i cili do t’u përcillet parlamentit dhe forcave politike./ tvklan.al