Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer viziton Tiranën, ku pritet të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit. Vizita e kreut të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e para pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në aleancën e NATO-s përkon me takimin e komisionit të partneritetit të Kartës së Adriatikut A5 që zhvillon punimet në Tiranë, në kuadër të kryesimit nga vendi ynë.
Në këtë takim të organizuar nga ministria e Jashtme marrin pjesë edhe homologë nga Bosnje-Hercegovina, sekretari i shtetit në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Europian të Kroacisë si dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit.
Sekretari Scheffer do të ketë një takim të veçantë me kryeministrin Berisha me të cilin do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas kreu i NATO-s do të jetë i pranishëm në ceremoninë e marrjes së titullit nga rektori i universitetit të Tiranës Dhori Kule. Kreu i aleancës do të zhvillojë dhe një takim me presidentin e republikës.
Kjo është vizita e 3 e sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës në Shqipëri. Për herë të parë Scheffer vizitoi Shqipërinë në vitin 2004 dhe më pas edhe në vitin 2006. Prej vitit 1990 Shqipëria është vizituar nga të gjithë krerët e aleancës Veriatlantike./tvklan.al