“Bashkëpunim për prodhimin e veshjeve të mjekëve, policisë dhe ushtrisë”

Ministri përgjegjës për përballimin financiar të Pandemisë, Arben Ahmetaj u ka dërguar letër ministrave të ekonomisë në rajon dhe në Bashkimin Europian ku kërkon bashkëpunim për përballimin e situatës. Ahmetaj kërkon mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të mjekëve dhe uniformave të policisë e ushtrisë.

Kompanitë shqiptare të fasonit thotë Ahmetaj në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë përshtatur ciklin e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë, ushtrinë dhe gjithë forcat që sot luftojnë në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm. Ministri Ahmetaj thotë se në këtë situatë bashkëpunimi mes vendeve merr një rëndësi të veçantë.

 “Bashkëpunimi me vendet partnere, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit duke mundësuar vijimin e aktivitetit, dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre”.

Ahmetaj thotë se është i bindur në angazhimin e fqinjëve dhe partnerëve tanë për ta kthyer këtë në një korsi bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, sepse sipas tij si çdo luftë, edhe këtë mund ta fitojmë vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë.

Tv Klan