Analisti Mark Marku i cilëson deklaratat e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia si një shantazh ndaj Kryeministrit Rama, grupit të PS-së, si dhe drejtësisë. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Marku thotë se Ahmetaj po bën shantazh për gjetur zgjidhje për situatën e tij.
Mark Marku: Një pjesë të mirë të gjërave ne i dinim. Në një vend që problemin kryesor ka korrupsionin, çdo akuzë nuk të befason, vetëm ta konkretizon faktin që ka korrupsion. Në 3 intervistat që Ahmetaj po bën është statusi i tij qeverisës. Jep këto të dhëna për mënyrë si është qeverisur. Kjo e bën me interes atë që thotë ai për aktet korruptive.
Do të ishte mirë sikur të ishte denoncim, edhe më mirë sikur të ishte i penduar. Por mënyra si e thotë Ahmetaj është më tepër shantazh se sa denoncim i pastër. Shantazh ndaj Ramës, ndaj grupit të tij, ndaj drejtësisë. Ai thotë se “kjo është por unë kam gjëra të tjera që do i them më vonë”. Është një njeri i kërkuar nga policia, i arratisur, i ka ikur drejtësisë dhe bën shantazh për gjetur zgjidhje për situatën e tij.
Marku shprehet se më shqetësuese se korrupsioni është mënyra se si shoqëria dhe pushteti reagon ndaj këtij fenomeni.
Mark Marku: Për mua është shumë shqetësuese më shumë se korrupsioni, mënyra se si shoqëria dhe pushteti reagon ndaj korrupsionit. Këtu është krijuar një filozofi se korrupsioni është e vetmja mënyra e ekzistencës së shqiptarëve dhe është shumë e vështirë ta ndryshojmë sepse bëhet mentalitet pastaj.
/tvklan.al