Fatjona Mejdini mendon se Arben Ahmetaj nuk është aspak një i penduar dhe akuzat nuk po i drejton te drejtësia duke u bërë bashkëpunëtor i saj. Duke analizuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan rrëfimin e fundit të ish-zëvendëskryeministrit, gazetarja thotë se qëllimi i tij është të krijojë aleatë dhe të minojë nga brenda Partinë Socialiste. Metoda që ai po zgjedh është duke krijuar ndarje brenda saj dhe pakënaqësi ndaj liderit Edi Rama.
Fatjona Mejdini: Ai po bën një diversion brenda mazhorancës, po bën thirrje dhe po kërkon të krijojë aleatë. Unë mendoj që disa aleatë, njerëz të nivelit të dytë që mund të japin informacion, ai i ka dhe është si një pikë denoncimi. E gjithë retorika e tij është që Rama e ka marrë pushtetin nga socialistët e thjeshtë dhe e ka çuar atë te grupet kriminale.
Blendi Fevziu: Ai tha që krimi sot është sindikatë në Shqipëri, pra është një sindikatë e krimit që nuk lufton njëri-tjetrin por mbështesin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.
Fatjona Mejdini: Diversioni që ai po bën brenda mazhorancës është fakti që disa Rama zgjedh t’i mbrojë, disa zgjedh të mos i mbrojë, pra nesër ju mund të jeni kokat e turkut.
Blendi Fevziu: Disa ua lëshon SPAK-ut, disa i mban.
Fatjona Mejdini: Ai bëri thirrje, mbrojti Saimir Tahirin, Damian Gjiknurin, në fakt është hera e dytë që po e bën këtë thirrje. Ai ka dijeni që ka pakënaqësi mes tyre. Ndryshoi kursin për Erion Veliajn duke shpallur solidaritet, më parë thoshte që ai është përgjegjës me Edi Ramën për inceneratorin e Tiranës. Dukshëm është një intervistë në një periudhë parazgjedhore dhe fare mirë ai po kërkon të krijojë një lloj poli brenda socialistëve sepse e kupton shumë mirë faktin që sot socialistëve shkatërrimi mund t’u vijë vetëm nga brenda, duke parë edhe opozitën e cila është e dobët. Pikërisht këtë po kërkon ai të bëjë nga pikëpamja politike, po mundohet të krijojë fraksione dhe duke krijuar sa më shumë pakënaqësi ndaj liderit.
Mejdini shton se nga deklaratat e Ahmetajt, lideri i opozitës Sali Berisha përfiton në mënyrë indirekte. Ajo thekson se akuzat janë serioze dhe pavarësisht qëllimit të tij, prokuroria duhet t’i hetojë. E pyetur se cilat i duken më të rënda, Mejdini nuk përjashtoi asnjërën por evidentoi stilin e zgjedhur kësaj here nga ish-zëvendëskryeministri.
Fatjona Mejdini: Të gjitha janë të rënda. Flasin për një lloj stili për jetesën e Edi Ramës, një lloj stili të ndryshëm nga ajo që Rama përpiqet ta paraqesë veten në publik. Ky njeriu që shkon në qendra të kushtueshme detoksi, ky njeriu që pranon mbi 20 mijë euro bileta për të ndjekur ndeshjet e basketbollit, që hap shampanja e verë me çmime të tilla. Po i jep pak a shumë Ramës rolin e këtij sulltanit që është autoritar dhe bën çfarë të dojë. Bën udhëtime me charter, çon kompanitë me aksione të qeverisë shqiptare në falimentim dhe ka akuza që janë sistematike, të sistemit. Tendera, abuzime, 15 milionë euro, 50 milionë euro.
“Ai po mundohet të krijojë një lloj lobi kundër Edi Ramës”, përfundoi gazetarja./tvklan.al