Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, hedh poshtë si të pavërteta deklaratat e kreut të VMRO-DPMN-së se i ka dërguar njerëz për t’u bërë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Duke folur nga Dibra ku vijoi takimet e tija elektorale, Ahmeti theksoi se Fronti Europian që ai drejton do të jetë fitues i zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit dhe se do të jetë populli ai që do të caktojë se kush do ta qeverisë vendin.
“Hristijan, unë kam hyrë në politikë si kryengritës dhe nuk dal puthadorë. Mua për 22 vjet më ka votuar populli. T`i harrojmë muzikat e së kaluarës. Një shtet i NATO-s ka përgjegjësi morale, shtetërore. Nuk bëhet shaka me deklarata të tilla. Më paska çuar Ali Ahmeti emisarë. Unë vetëm “telefon të kuq” ngre, s`kam nevojë për emisarë”, tha Ahmeti.
Më tej ai nuk i kurseu kritikat edhe për deklaratat e opozitës se Korridori 8 po ndërtohet për t’i shërbyer planeve të ardhshme të Shqipërisë së Madhe.
“Ai korridor nuk ndërtohet në Shqipëri të Madhe, por ndërtohet në RMV. Por, çfarë faji kemi ne që ky Korridor lidh Prishtinën, Tiranën dhe Shkupin. Kështu lidhen rrugët, kështu lidhen kombet”.
Ai ftoi edhe një herë qytetarët që të votojnë Frontin Europian pasi kështu zgjedhin integrimin në vend të izolimit.
Tv Klan