Ndërhyrjet e spektrit politik të Kosovës në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, nuk i konsideron të dobishme kreu i BDI-së Ali Ahmeti, posaçëriasht në proceset euroatlantike që po kalon Kosova.
Nga Gllogjani, ai ka thënë se ndërhyrjet e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhje në Maqedoni të Veriut, nuk ndikojnë në raportet me Kosovën por që kërkon që “të mos lihet një hije e keqe tek popullata në Maqedoni të Veriut”.
“Fqinjët duhet t’i kenë aleat për proceset e rëndësishme. Këto nuk do të ndikojnë në raportet ndërshtetërore Kosovë-Maqedoni e Veriut, por e mira është që të mos lihet një hije e keqe tek njerëzit, tek popullata në Maqedoni, sepse asnjëherë nuk ka ndërhyrë as Kosova e as Maqedonia nëpër fushata.“
Ahmeti thotë se raste të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, madje as nga Shqipëria.
“As unë nuk jam përfshirë asnjëherë në Kosovë, pavarësisht se unë të gjithë i kam bashkëluftëtarët të angazhuar në partitë politike por asnjë raund nuk kam mbajtur anë. As Shqipëria nuk ka mbajtur anë në Maqedoni, por kjo varet edhe prej qëndrimeve të njerëzve, prej qëndrimeve të drejtueseve. Nuk do të ketë ndonjë pasojë apo diçka e tillë në Maqedoni. Nuk ka ndikuar në përçarje, por nuk pritet me admirim kjo ndërhyrje.”
Më 8 Maj votohet së bashku për zgjedhjet parlamentare edhe për raundin e dytë të atyre presidenciale derisa Lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në garë me kandidatët e saj bashkë me koalicionin e partive opozitare shqiptare VLEN.
Madje, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë hezituar të bëjnë fushatë në Kumanovë dhe Shkup disa disa ditë para zgjedhjeve.
Tv Klan