Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një person ka vdekur dhe 6 të tjerë janë plagosur, 2 nga të cilët në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Elbasan-Cërrik.

Furgoni i firmës Kurum që transportonte punëtorët e turnit të tretë është përplasur me një kamion që ka manovruar në mënyrë të gabuar. 45-vjeçari Shaban Alushi ka vdekur në vend, ndërsa 6 punonjësit e tjerë janë plagosur. Aksidenti ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit në fshatin Kuqan, rreth 8 km larg Elbasanit. Të plagosurit ndodhen në spitalin e Elbasanit dhe gjendja e dy prej tyre është e rëndë, por mjekët shpresojnë në përmirësimin e tyre.

Të aksidentuarit janë E. Q. 21-vjeç nga Cërriku, T. Q. 27-vjeç nga Cërriku, H. Xh. 42-vjeç nga Cërriku, G. K. 30-vjeç nga Cërriku, D. M. 21 vjeç nga Kavaja dhe M. L. 30-vjeçe nga Cërriku.

Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë një lëvizje e gabuar të drejtuesit të kamionit dhe shpejtësia e tij tej normave të lejuara./tvklan.al