Dy persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik që ka ndodhur në fshatin Arapaj të Roskovecit në Fier.
Viktimat janë Amarildo Dogani 24 vjeç dhe Festim Dogani 29 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin.
Sipas burimeve policore, këmbësorët kanë qenë duke ecur në anë të rrugës kur u përplasën nga një makinë. Të njëjtat burime nga vendngjarja sqarojnë se automjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke përplasur edhe dy viktimat.
Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, Amarildo Çalamani 21 vjeç u kap nga uniformat blu dhe u shoqërua në komisariat disa minuta më vonë, pasi kishte braktisur mjetin dhe ishte larguar në këmbë nga skena e krimit. Në vendngjarje shkuan forca të shumta policore, të cilat nisën hetimet për këtë aksident të rëndë.
Njoftimi paraprak i Policisë së Fierit:
Në datën 26.08.2018, në orën 20:40, në urgjencën e Spitalit Fier janë sjellë në gjendje të rëndë shëndetesore e më pas kanë ndërruar jetë shtetasit A.D. dhe F.D. të dy banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga të dhënat paraprake, të dy shtetasit janë aksidentuar në fshatin Arapaj, nga një mjet që drejtohej nga shtetasi A.Ç, banues në fshatin Arapaj.
Dy viktimat kanë qënë këmbësorë ndërsa mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Grupi hetimor ka shkuar drejt vendngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.
/ tvklan.al