2009 rriti frikshëm statistikat si pasojë e aksidenteve rrugore. Shkaqet u evidentuan. Pasojat fatale të aksidenteve erdhën si pasojë e keq-inxhinierimit të rrugëve, mosfunksionimit të elementëve të sinjalistikës, mosdizajnit të duhur të trafikut, apo edhe si pasojë e moskoordinimit të faktorëve dhe palëve të interesit.

Shkëlzen Aliaj, drejtor i Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, deklaron se situata duhet të ndryshojë duke nisur nga vetë shërbimi policor.

Shkelzen Aliaj: “Kemi bërë një analizë të detajuar të situatës aksidentale në trafik dhe kemi dalë në konkluzionin që kjo strukturë nuk është eficente. Jemi në një situatë krejt të re që besoj se do të japi rezultatin e duhur.”

Aliaj pohon se problemi i sigurisë rrugore është mbarë botëror. Ai i referohet analizës më të fundit që u mbajt pak muaj më parë në Rusi.

Shkelzen Aliaj: “Pasojat fatale me ngjarjet aksidentale kanë qenë shumë të mëdha, shkojnë rreth 1.3 milion banorë në vit. Kryesisht këto pothuajse 2/3 se afër 2/3 e zënë vendet në zhvillim. Kjo vjen si rezultat edhe i mos provojës në inxhinierimin e sigurt të trafikut, mospërvojës në përdorimin e automjetit, kulturës së dobët në shfrytëzimin e automjetit.”

Sot praktikat perëndimore flasin për polici të specializuara. Polici të veçantë për kontrollin mbi alkoolin, për shpejtësinë, për matjet e distancës së kamionëve, për mbajtjen e korsive të duhura, policin në të gjitha shkeljet që çojnë drejtpërdrejt në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Shkelzen Aliaj: “ “Edhe ne, në bashkëpunim me partnerët tanë po shkojmë drejt këtij sistemi, drejt këtij drejtimi të shërbimit të policisë rrugore. Përqendrimit të të gjitha forcave dhe mjeteve, të gjitha resurseve në mënyrë të përqendruar që drejtuesit lokal të kenë mundësinë mos t’i përdorin siç janë përdorur më përpara me plane jo të lëvizshme po statike. Shërbimi i policisë rrugore duhet të përdoret në mënyre fleksible, të përdoret në vende ku ka probleme, të përdoret në mënyrë të vazhdueshme drejt elementeve që çojnë në rritjen e koeficienti të sigurisë rrugore.”

Emigrantët janë parë dhe gjykuar shpesh nga ekspertët si shkaktarë të aksidenteve fatale. Aliaj thotë se ata do të trajtohen njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë dhe do t’u nënshtrohen po të njëjtave rregulla të qarkullimit./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani