Aleks Shtjefani, emigrant prej 25 vitesh në Itali, denoncoi në “Stop”, sesi u manipulua aksidenti i vitit 2017, që i dëmtoi këmbën, për të cilën ka bërë 4 operacione. Por si të mos mjaftonte kjo, tani ai u dënua nga gjykatat dhe prokuroria në bashkëpunim me ekspertët si fajtor i aksidentit, në një kohë, që faktet, provat e filmimet tregojnë të kundërtën.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00 në aksin rrugor Dajç-Lezhë dhe në të u përfshinë shtetasi Aleks Shtjefani, që drejtonte autoveturën “Huyndai” dhe Mhill Delia, drejtuesi i autoveturës “Benz”.

Denoncuesi: Ju drejtova juve emisionit “Stop”, për një padrejtësi, që më është bërë në Gjykatën e Apelit, Shkodër. Jam dënuar për një aksident, që unë s’kam asnjë faj, asnjë gjë, krejt padrejtësisht. Me datë 6 Qershor 2017, po lëvizja nga Shkodra në Lezhë, në vendin e quajtur Dajç të Zadrimës, më ka ndodhur një aksident. Unë po ecja në drejtim të Lezhës, në krahun tim, kur papritur një makinë tip “Benz”, e drejtuar nga një i moshuar, që sapo kishte marrë dhe patentën, shumë pak kohë kishte, që kishte marrë patentën, më doli ballë-përballë në krahun tim. Ndalova shpejtësinë, i bëra me drita, po s’kisha as kohë, sepse ishte çështje sekondash, më ra ballë-përballë në krahun tim dhe më solli në drejtim të kundërt drejt Shkodrës. Unë theva këmbën e majtë dhe shoku im, fshatari im, që ishte pasagjer me mua, u hap nga brenda. Pas 40 minutash erdhi ambulanca na dërgoi në Lezhë dhe aty u morëm në pyetje nga policia e Lezhës dhe unë tregova siç  kishte ndodhur ngjarja. Shoku im, fshatari im, nuk ishte në dhomë me mua dhe ai të njëjtën gjë ka tregu, sepse e njëjta gjë ajo, çfarë kishte ndodhur. Me siguri, zotëria me gjithë të shoqen, kanë thënë gjëra të ndryshme, po ato janë manipuluar në policinë e Lezhës, sepse në momentin, që ka ndodh aksidenti, erdhi një polic nga Shkodra, mik i familjes Deliaj, një Sokol Stafa dhe ai ka manipuluar çdo gjë aty, sepse ishte dhëndër i familjes Deliaj dhe Sokoli me policinë e Lezhës ka bërë, me një fjalë ato, që kanë treguar dy zotërinjtë. Ato kanë thënë ndryshe njëri, ndryshe tjetri, pastaj i kanë grisur e i kanë manipuluar thënien.

Gazetari: Si është versioni i palës tjetër?

Denoncuesi: Versioni i tyre është, që unë po parakaloja një ambulancë, kur në atë moment s’kishte asnjë ambulancë, asnjë makinë, asnjë, vetëm ca njerëz, punëtorë rruge, që ishin dhe disa, që jetojnë aty afër, asnjë makinë, sepse unë kam shkuar në spitalin e Lezhës, në spitalin e Shkodrës kam marrë vërtetimin, që në atë moment, s’ka pas asnjë ambulancë në atë vend.

Gazetari: D.m.th ky është versioni i palës tjetër?

Denoncuesi: Versioni i palës tjetër, që unë gjoja po parakaloja ambulancën, po aty s’ka pas asnjë ambulancë, ku është ajo ambulancë, që shikon një aksident të tillë dhe nuk ndalon. Si ka mundësi?! Ku ishte ambulanca?

Sipas raportit të policisë, emisioni “Stop” zbuloi, se drejtuesi i automjetit “Benz”, i cili vinte nga Lezha për në Shkodër, ka qenë në korsinë e gabuar, gjë që ka shkaktuar aksidentin. 

Denoncuesi: Erdhi policia e Lezhës kishte të gjitha dokumentet e mia, pasaportën, patentën, të gjitha dhe m’i solli vetë te spitali dhe me tha: “Ik or djalë “, se ti nuk ke asnjë faj, asnjë gjë- tha, ty të ka ra ndesh Mhill Deliaj dhe m’i dha të gjitha dokumentet, sikur policia e Lezhës të dyshonte, që unë kisha dhe një faj më të vogël s’do m’i jepte mua pasaportën, të largohesha nga Shqipëria, s’do më jepte mua patentën mua, do ma mbante aty, do ma bllokonte.

Gazetari: Dhe ju shkuat drejt Italisë, për të bërë operacionin?

Denoncuesi: Mora dokumentet, u nisa direkt për Itali dhe bëra operim këmbën në Siena, të Italisë, ku ndenja dhe 6 muaj, në këtë kohë, sepse zonja e këtij shoferit, gruaja e tij paska bërë kallëzim në prokurori, këtë gjë nuk e dija, unë jam njoftuar mbas 7 muajsh, kur hetuesia kishte mbaruar punë.

Gazetari: Ju nuk jeni thirrur nga Prokuroria e Lezhës, për t’u pyetur dhe për të marrë versionin tuaj?

Denoncuesi: Absolutisht asnjë gjë, vetëm mbas 6 muajsh më ka ardhur një letër, që të paraqitesha në gjyq.

Gjyqtari Ilir Përdeda e ka bazuar vendimin e tij në akt-ekspertimin e Inxhinierit Mekanik Arben Luzi, i cili është dukshëm një raport i pasaktë. Në këtë akt mungojnë tabelat fotografike të aksidentit, përllogaritja e shenjave të frenimit dhe zbërthimi i gjithë dinamikës së aksidentit. Në këtë akt vetëm një fletë i është fokusuar aksidentit ndërsa pjesa tjetër e tij janë kopje e akteve të prokurorisë.

Denoncuesi: Mora avionin, sigurisht me këmbë të sëmurë, u nisa drejt Shqipërisë, shkova atje, u paraqita në gjyq dhe ne datën e gjykimit, me gjithë fshatarin tim u paraqita në Gjykatë dhe ishte vetëm gjykatësi, unë dhe ky bashkëfshatari im dhe sekretarja, aty as s’kishte prokuror, as nuk ishin pala tjetër, asnjë gjë. Doli gjykatësi dha vendimin 14 muaj, prokurori kishte kërkuar dënim me kusht, gjykatësi vendosi dënim 14 muaj heqje lirie.

Gazetari: Po palët e tjera, ku ishin?

Denoncuesi: Nuk ishin fare, nuk ishin, s’ishin, se ato e kishin rregulluar punën, s’kishin nevojë të vinin aty ato, e kishin fitoren e sigurt ato, nga aty u afrova afër barit, afër Gjykatës një klub, po prisja një kushëririn, të vinte të më merrte me makinë, kur ja doli gjykatësi, prokurori dhe dhëndri I Mhill Delilaj po hynin në klub të tre. Aty u nxeha, i thashë: “Ti je gjykatës kriminel”. Ty erdhi me të sjellë lekë ky, ngaqë isha me paterica, mora telefonin t’i bëja një fotografi aty, ikën me vrap, u hapën njëri këtej e tjetri andej, ikën nga Gjykata dhe u zhdukën./tvklan.al