Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kështu ka vazhduar aksioni i policisë ndërtimore për shembjen e ndërtimeve pa leje në njërën nga segmentet e rrugës së Elbasanit. Aksioni ka filluar në orët e para të mëngjesit dhe është në vazhdim, ku bie në sy edhe mbështetja nga forcat e policisë së rendit. Këto godina trekatëshe u prishën pasi dy muaj më parë këtu ishin rrafshuar dhe kioskat përreth tyre. Kreu i policisë ndërtimore Havari thotë:
Mit’hat Havari:- “Askush i fort antiligj nuk vepron dot përpara shtetit ligjor. Në këto kushte shumë ndërtime të paligjshme janë goditur këtë javë tek drejtoria e policisë së Prefekturës Tiranë dhe do të vazhdojnë të goditen të tjera. Në qoftë se nuk shembim antiligjin në Shqipëri, nuk mund të vendoset ligji”.
Deri tani në kryeqytet janë goditur 30% të ndërtimeve që bien ndesh me urbanistikën apo janë të ndërtuara pa leje. Ndërkohë pjesa tjetër e ndërtimeve pa leje do të prishen në të ardhmen. Gjithashtu këto ditë pritet një tjetër goditje kundër lavazheve pa leje po te rruga e Elbasanit, pranë fakultetit Filologjik./tvklan.al