Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në javën që u mbyll në Tiranë, aktivitetet kulturore kanë qenë të shumta dhe të larmishme. Kështu në TOB është rivënë në skenë nga trupa e baletit të këtij institucioni, baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Në kinema Millenium vazhdon të shfaqet me mjaft sukses, tashmë prej 20 ditësh filmi hollivudian “Coyote Ugly”. Ndërsa në Teatrin Kombëtar është ngjitur në skenë drama nga Henrik Ibsen “Armiku i Popullit”, me regji nga Agim Qirjaqi.
Në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura, gjatë kësaj jave ka pasur mjaft aktivitete, ku vlejnë të përmenden drama e regjisorit Kiço Londo, “Gjashtë vjet shtatzënë”, aktiviteti Allegreto Albania, në kuadrin e të cilit është vënë një pjesë me muzikë të zgjedhur nga Rossini. Ndërsa në sallën e Black Box-it, po pranë kësaj akademie është shfaqur një film nga Joni Shanaj, i titulluar “Ivi Tirana Pank”./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora