Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në javën që kaloi në Tiranë, aktivitetet kulturore kanë qenë të shumta dhe të larmishme. Kështu në Teatrin Kombëtar është shfaqur drama “Nata e trokitjeve në xhama”. E veçanta e kësaj drame është se ajo u realizua nga regjisori i njohur i filmit shqiptar, Artisti i Popullit Dhimitër Anagnosti. Në rolet kryesore të kësaj drame ishin aktorët e njohur shqiptar si Roza Anagnosti Artiste e Merituar, Ndriçim Xhepa Artist i Merituar, Bujar Asqeriu, Luiza Xhuvani etj.

Ndërsa në Akademinë e Arteve të Bukura është vënë në skenë opera me dy akte “Martesa Sekrete”. Realizuar nga regjisori Nikolin Gurakuqi. Gjithashtu edhe festa e 50 vjetorit të krijimit të UNHCR-së është përkujtuar në Galerinë 21, në një ekspozitë me postera dhe fotografi. Së fundmi në kinema Millenium ka filluar të shfaqet filmi i ri hollivudian “Misteri”.

Por përveç qytetit të Tiranës edhe në Durrës nuk kanë munguar aktivitetet kulturore. Kështu të premten në mbrëmje në teatrin Aleksandër Moisiu, në këtë qytet u shfaq drama “Trokitje në dyert e dhimbjes”, me autor, regjisor dhe skenograf Artistin e Popullit Serafin Fanko dhe aktore kryesore Artisten e Popullit Tinka Kurti./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora