Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Gjithçka është pantomimë, gjeste, artikulacion, dëgjim, frymëmarrje. Ky grup aktorësh nën drejtimin e regjisorit italian Marko Baliani, përgatiten për një shfaqje të teatrit klasik grek. Do të jetë “Efigjenia” e Euripidit, e cila do të udhëtojë në krejt Mesdheun. Sipas regjisorit Baliani, pesë vjet më parë është realizuar projekti “Porta e Mesdheut”, ku çdo vit bashkëpunohet me kultura të vendeve të ndryshme.
Këtë vit me ndihmën e Institutit Italian të Kulturës, marrin pjesë edhe pesë shqiptarë. Ata janë përzgjedhur midis 25 studentëve të Akademisë së Arteve të Bukura dhe për 12 ditë do të punojnë në grup së bashku me aktorët e ardhur nga Franca, Italia, Bejruti, Tunizia dhe Maroku.
Aktori Lulzim Zeqja:- “Është një eksperiencë shume e mirë, jo vetëm për mua por për të gjithë shqiptarët që jemi. Kam përfituar shumë se është një teatër jo shumë i njohur nga ne. Është pothuajse një teatër eksperimental, që varet nga gjesti dhe nga plastika trupore”.
Ky grup i krijuar do të përzgjidhet më tej për të realizuar shfaqjet e sezonit të vjeshtës që do të startojnë në disa shtete./tvklan.al