Pas suksesit që korri në Athinë me pjesën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, aktori i njohur i skenës shqiptare Mirush Kabashi, rikthehet me një tjetër monodramë.
“Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” titullohet vepra, që Kabashi do të luajë të dielën në mbrëmje në orën 19 në sallën e Teatrit Kombëtar. Nëpërmjet kësaj monodrame Kabashi do të sjellë një mesash njerëzor, duke hedhur poshtë idenë se feja islame është përkrahëse e terrorizimit.
Vlerat e vërteta njerëzore, mirësia, toleranca, harmonia dhe ndershmëria janë në qendër të veprës së autorit francez Eric Emanuel Schmit. “Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” është vënë në skenë në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme të botës.
Në Francë është përshtatur edhe si film, ku rolin e zotit Ibrahim e ka interpretuar aktori hollivudian Omar Sharif, i nderuar për këtë rol me çmim e paqes nga OKB-ja.
Publiku i kryeqytetit këtë të diel do të ketë mundësinë të ndjekë edhe dramën e irlandezit Tom Mërfi, “Fishkëllimë në errësirë” me regji të Spiro Dunit.
Pjesa ku luajnë aktorët Reshat Arbana, Naum Shundi, Bujar Asqeriu, Anila Bisha etj, trajton problemin e dhunës brenda familjes duke e bërë këtë pjesë aktuale edhe për Shqipërinë. “Fishkëllimë në errësirë” do të luhet në sallën Kadri Roshi, si gjithmonë në orën 19./tvklan.al