Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli në një konferencë për mediat këtë të enjte pas kallëzimit që i bëri Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në SPAK të hënën. Gjonaj thotë se sqarimin nuk e bën për Presidentin, por për akuzat që i janë hedhur ndaj saj, shpeshherë edhe me fjalë të padenja.

“Nuk e bëj këtë sqarim sot as për t’iu përgjigjur Presidentit, për morinë e akuzave dhe as për t’ju përgjigjur fjalëve të padenja që ka lëshuar publikisht në drejtimin tim, personalisht apo përmes zëdhënësve të tij”, thotë ministrja.

Sipas ministres, Presidenti ka krijuar një kauzë fiktive që ky i fundit sipas saj po e përdor për politikë.

“Unë u rezervoj të gjithë keqardhjen time për hallin e madh që i motivon në luftën kundër Reformës në Drejtësi, por akuzat ndaj meje nuk jua lehtëson këtë hall. Presidenti ka krijuar një kauzë fiktive në funksion të betejave të tij politike, që në çdo rast nuk janë në përputhje me përgjegjësitë e tij të larta kushtetuese, si përfaqësues i unitetit të popullit, në momentin e rëndësishëm që po kalon Shqipëria në prag të negociatave. Deformimet e rënda faktike, juridike dhe logjike të këtij show politik presidencial mbi gjoja rrëmbimin e kompetencave të Presidentit, janë mbresëlenese për këdo që i di faktet”, thotë ministrja.

Gjonaj hedh poshtë akuzat e Presidentit që thotë se në Ministrinë e Drejtësisë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal që ka shkelur ligjin pasi ka botuar në fletoren zyrtare një vendim që s’kishte kompetenca për ta botuar.

“Pas informacionit që KED i ka dërguar Kuvendit,  ky i fundit i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë informacionin mbi praktikën e ndjekur nga KED dhe faktin që afati 30 ditor i emërimit të anëtarit të gjykatës Kushtetuese nga Presidenti kishte përfunduar dhe për këtë shkak kandidati i renditur i pari në bazë të vendimit të KED-së, konsiderohej i emëruar ex lege (automatikisht). Pra zonja Arta Vorpsi konsiderohet e zgjedhur automatikisht. Për sa kohë që është një anëtar i emëruar nga ligji,  Ministria e Drejtësisë i dërgoi Qendrës së Botimeve Zyrtare për publikim vendimin e KED për renditjen e kandidatëve”. /tvklan.al