Nis në Durrës procesi gjyqësor ndaj Hygerta Metës dhe dy vëllëzërve të saj, të cilët akuzohen për vrasjen e babait, Pëllumb Metës, krim i ndodhur në Shën Avlash të Durrësit në Shkurt të vitit 2024.
Prokuroria ka ndryshuar akuzën ndaj 19-vjeçares e cila akuzohet bashkë me vëllain e madh Hysenin, për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ndërsa vëllai i vogël dyshohet se ka pasur rolin e bashkëpunëtorit.
Fillimisht vajza 19-vjeçare ishte akuzuar vetëm për “fshehje dhe asgjësim të kufomës”, por tashmë akuza është rënduar.
Gjatë hetimeve, Hygerta Meta ka ndryshuar disa herë dëshminë e saj. Në fillim, ajo pranoi të ishte autorja e krimit, por më vonë deklaroi se krimi është kryer nga vëllezërit e saj duke pranuar vetëm fshehjen e trupit.
Prokuroria e hetoi këtë krim në familje prej një viti ndërsa pistat ishin dy; vrasje për motive pronësie dhe konflikti për shkak se Pëllumb Meta kërkonte të fejonte vajzën pa dëshirën e saj.
Klan News