Në pistoletën e krimit me të cilën u vra Pëllumb Meta janë gjetur gjurmë gishtash edhe të djalit të vogël, Amarildo Meta. Kështu ka mësuar gazetarja e Klan News në Durrës, Enkeleda Arapi.

Për vrasjen e 49-vjeçarit është i akuzuar direkt djali i madh Hysen Meta 25 vjeç, si personi që ka shkrepur armë. Po kështu për vrasje akuzohet edhe vajza Hygerta Meta 19 vjeç, e cila ka qenë prezent në momentin e vrasjes.

Por me daljen e rezultateve të analizave nga laboratori i kriminalistikës, në armën e vrasjen janë gjetur gjurmë edhe të djalit të vogël Amarildo Meta, i cili për momentin akuzohet nga policia për fshehje të kufomës.

Laboratori i kriminalistikës ka dalë në konkluzionin se Amarildo Meta ka gjurmë gishtash në pistoletën me të cilën u vra babai i tij. Kjo do të thotë që Amarildo e ka prekur armën, por nuk është e qartë nëse ka bërë shkrepje ose jo.

Për grupin hetimor të Durrësit, autor kryesor i vrasjes vazhdon të mbetet djali i madh Hysen Meta.

Pas vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët e tij, pistoleta e krimit u hodh në një zonë moçalore, por u gjet nga grupi hetimor dhe u dërgua për ekspertizë.

Ndërkohë, të tre fëmijët dhe gruaja e viktimës u dërguan në një poligon qitje në Durrës dhe rezulton se të katërt dinë të përdorin armë.

Vrasja e Pëllumb Metës ndodhi më 10 Shkurt 2024 në banesën e familjes në Shënavlash të Durrësit. Kufoma u gropos në kasollen e bagëtive dhe fëmijët inskenuan ngjarjen duke e denoncuan babain si të zhdukur. Por dy javë nga ky moment, Policia e Durrësit zbardhi ngjarjen duke zbuluar se 49-vjeçari ishte vrarë nga familja dhe jo të ishte zhdukur. Motivi u tha se ishte mblesëria për të martuar Hygertën pa dëshirën e saj, por kjo pistë nuk po bind hetuesit, mbështetur edhe mbi disa dëshmi që pohojnë diskutimin për mblesërinë, por vetë Pëllumbi nuk kishte pranuar duke thënë se vajza është me studime.

E në këtë pikë, motivi i vërtetë i ngjarjes së rëndë mbetet ende mister.

/tvklan.al