Brenda 7 muajve, dy ngjarje të rënda në fshatin Shënavlash të Durrësit. Më 23 Shkurt të këtij viti, i bujshëm ishte rasti i Pëllumb Metës, 49 vjeçarit i cili u vra nga 3 fëmijët e tij. Sot policia zbardhi një tjetër krim në familje, ku 30 vjeçari Esmerald Balla i mori jetën babait të tij 62 vjeçar Enver Balla.
Përpos vendit, “skenari” i zhdukjes së trupit të pajetë është element i përbashkët tek të dyja ngjarjet.
Pëllumb Meta u denoncua i zhdukur mbrëmjen e 13 Shkurtit, ndërsa dyshohet se u vra disa ditë më parë. Tre fëmijët në bashkëpunim me njëri-tjetrin e vranë dhe groposën atë te kasollja pranë shtëpisë. Dyshohet se armën e shkrepi djali i madh Hysen Meta, në prezencën e së motrës Hygerta. Ndërsa djali i vogël, Amarildo, i ndihmoi për fshehjen e trupit. Ngjarja u zbardh nga policia dy javë më vonë…
Edhe Esmerald Balla, pasi e vrau babain e tij, e hodhi trupin e pajetë te një pus rreth 1 km larg vendit të ngjarjes. Në po atë ditë, shkoi dhe deklaroi para bluve se i ati ishte larguar nga banesa.
Teksa krimi në familjen Meta ka ende shumë mister brenda, motiv i ngjarjes së zbardhur sot në Shënavlash janë debatet për shuma parash mes viktimës dhe autorit.
Megjithatë, pavarësisht shkakut, këto ngjarje kanë tronditur opinionin e gjerë. Së pari për aktin e tmerrshëm e së dyti për gjakftohtësinë e autorëve, të cilët nuk “hezituan” të ndiqnin skenarë si në filma.
E.D/tvklan.al