Nesër fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të kësaj fundjave, do të fillojë nesër, më 11 Shkurt. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për REL se në të njëjtën kohë do të bëhet edhe verifikimi i rezultatit të subjekteve politike nga këto zgjedhje…Lexo më shumë
KQZ: Deri në 19:10 u numëruan 99.17% e votave
Sipas të dhënave të KQZ, deri në orën 19:10 janë numëruar 99.17% e votave.
Kështu, Vetëvendosje ka marrë 40.83% të votave, PDK 22.15% të votave, LDK 17.59% të votave dhe AAK 7.47% të votave.
BE: Zgjedhjet në Kosovë, të qeta
Bashkimi Europian është shprehur se zgjedhjet në Kosovë janë zhvilluar në një atmosferë të qetë.
Zëdhënësja e KE-së, Anitta Hipper, u shpreh se në votime qytetarët patën mundësi të shprehnin vullnetin e tyre.
“Ne vlerësojmë faktin se zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë, në të cilën qytetarët kanë pasur mundësi të shprehin vullnetin e tyre”, njoftoi Hipper… Lexo më shumë
Nga nisja e votimit te shpallja e fitores së Kurtit, Tvklan.al me raportim live pranë jush
Qytetarët e Kosovës iu drejtuan të dielën e 9 Shkurtit kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe përfundoi në orën 19:00. Pas nisjes së numërimit nga KQZ, Albin Kurti i LVV shpalli fitoren.
Por çfarë ndodhi të dielën? Tvklan.al ka qenë pranë jush me një raportim live. Ne ju ftojmë të klikoni KËTU për të mësuar të gjitha zhvillimet nga procesi i votimit në Kosovë.
Ramush Haradinaj i “mbyll derën” Albin Kurtit për koalicion
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2021/03/Ramush-Haradinaj-1024x605.jpg)
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, doli në një konferencë për mediat pas publikimit të rezultateve paraprake nga votimet e 9 Shkurtit.
Edhe pse nuk u shpreh shumë i kënaqur me rezultatin, ai tha se AAK ka ruajtur besimin që kishte në të kaluarën dhe do të marrë 9 mandate në legjislaturën e re.
Por i pyetur për një bashkëpunim me partitë e tjera, ai i “mbylli derën” Albin Kurtit, siç në fakt ka bërë edhe gjatë fushatës, ndërsa u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me partitë opozitare.
“Nuk është vetëm çka bën aleanca, por çka bën Kosova. Është në nderin tim të ndihmoj një qeveri të opozitës, asesi të Vetëvendosjes, pra me zotin Kurti”, tha Haradinaj… Lexo më shumë
Kurti fiton, por nuk mjafton! Shkullaku: Gjasat për qeveri me parti opozitare
Sipas gazetarit Armand Shkullaku, ka shumë gjasa që në Kosovë “të krijohet qeveri me parti opozitare”. Megjithatë, ai theksoi se fitorja e Albin Kurtit është përsëri e jashtëzakonshme, duke shtuar se është partia e parë pas asaj të Ibrahim Rugovës që “rrëmben” një rezultat të tillë.
“PDK e LDK s’kanë bërë vota sa Albin Kurti”, tha Shkullaku.
Pavarësisht se Kurti është shumë më para rivalëve politikë me shifra, ka një pengesë të madhe për të marrë një tjetër mandat. Duhen së paku 61 ulëse në Parlament për formimin e qeverisë, gjë që gazetari e sheh me pesimizëm për “Vetëvendosjen”.
Ai renditi 3 arsye kryesore pse një parti tjetër opozitare mund të mos i bashkohet LVV-së… Lexo më shumë
Rruga deri në formimin e qeverisë së re të Kosovës
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/kuvendi-i-kosoves-1024x576.webp)
Kosova iu drejtua kutive të votimit të dielën dhe zgjodhën deputetët që do ulen në Kuvendin e ri të Kosovës e kësisoj edhe për qeverinë e re. Por cila është rruga që ndiqet deri në formimin e qeverisë?
Po jua shpjegojmë hap pas hapi:
1.Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës brenda 30 ditëve pasi KQZ-ja të ketë certifikuar rezultatet përfundimtare.
2.Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Në rast se presidentja nuk e bën një gjë të tillë, Kuvendi mblidhet vetë.
3.Seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallë.
4.Atë ditë deputetët e sapobetuar zgjedhin kryetarin e Kuvendit, i cili propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe pesë nënkryetarët e kuvendit.
5.Më pas legjislatura e sapoformuar ka detyrën e saj të parë, zgjedhjen e qeverisë së re të vendit. Qeverinë mund ta formojë vetëm partia ose koalicioni që ka fituar zgjedhjet.
6.Pak ditë pasi Kuvendi të jetë konstituuar, presidentja Osmani do të ftojë në konsultime partitë që janë në Kuvend, për të nominuar kandidatin për kryeministër.
7.Kandidati që është nominuar për kryeministër nga presidentja brenda 15 ditëve duhet të paraqesë përbërjen e qeverisë së tij para deputetëve.
8.Në këtë seancë qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm nëse votohet prej së paku 61 deputetëve nga 120 sa janë gjithsej.
9.Nëse qeveria e propozuar dështon të marrë shumicën e votave të nevojshme presidentja brenda 10 ditëve fillon një raund të ri konsultimesh me partitë dhe nominon një kandidat të ri për kryeministër.
10.Përsëri Kuvendi duhet të votojë përbërjen e qeverisë së re. Nëse edhe kandidati i dytë dështon t’i marrë votat e shumicës për formimin e qeverisë presidentja lëshon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpall zgjedhjet e reja.
Atmosferë e qetë zgjedhjesh, mbi 40% pjesëmarrje
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/image-135-1024x448.png)
Sipas KQZ-së, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, nuk u shënua ndonjë incident, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në votime ishte më e vogël sesa në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 48%. Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin mbi 2 milionë qytetarë, ndërsa votuan rreth 790 mijë qytetarë, që përkthyer në përqindje ishte pak mbi 40%.
Ideolog i “sertë” apo reformator i vendit? Kush është Albin Kurti
Kurti është një udhëheqës që ngjall reagime të forta në të dyja anët e spektrit politik. Për mbështetësit, ai është reformator dhe mbrojtës i interesave të vendit, përballë presioneve nga jashtë.
Për kritikët, është ideolog i sertë, mosgatishmëria e të cilit për kompromise ka çuar në tensionimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë dhe izolimin e Kosovës në skenën botërore. Kurti është rritur si figurë në vitet 1990, pas organizimit të protestave kundër represionit të Sllobodan Millosheviçit. Për aktivizmin e tij, ai ka kaluar 2 vjet në burgjet e Serbisë dhe është liruar vetëm pas trysnisë ndërkombëtare. Në vitin 2005, bashkë me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Veprimit kanë formuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më vonë është regjistruar si parti politike.
Si lider i saj, Kurti ka ndërtuar karrierën duke kritikuar elitat e mëparshme politike për korrupsion dhe nepotizëm dhe duke kundërshtuar ndikimin nga jashtë. Dikur i njohur për udhëheqjen e protestave në rrugë, e madje edhe për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Kurti, ndër vite, e ka zbutur retorikën – nuk avokon më për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por për konsolidimin e mëtejshëm të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Kurti është zgjedhur kryeministër për herë të parë në shkurt të vitit 2020. Por, ajo qeveri e tij ka qenë më jetëshkurtra në Kosovën e pasluftës.
Mosmarrëveshjet për trajtimin e pandemisë COVID-19 e mbi të gjitha për qasjen ndaj bisedimeve me Serbinë, janë përshkallëzuar në luftë politike. Dhe, më 25 mars, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur një mocion mosbesimi, duke çuar në kolapsin e qeverisë Kurti. Më pak se një vit më vonë, në Shkurt të 2021-it, janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50% të votave. Si kryeministër për herë të dytë, Kurti është zotuar se shëndetësia, arsimi dhe drejtësia do të jenë përparësi të punës së kabinetit të tij.
Vuçiç “kunj” për Kurtin: Duhet të shqetësohet për veten, 10 mandate për Listën Serbe
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/image-116.png)
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek tha se partia që ai drejton është fituese absolute e zgjedhjeve dhe se ka marrë të 10 mandatet që parashikohen për serbët në Kosovë.
Ky rezultat ka sjellë edhe reagimin e Presidentit Aleksandër Vuçiç, i cili falenderoi popullin serb në Kosovë. Nuk mungoi edhe një “kunj” për Kurtin.
“Është shumë e qartë se Lista Serbe do të fitojë padyshim të 10 mandatet dhe do të jetë një barrierë për sulmet e mëtejshme nga Kurti. Kam frikë se tashmë i duhet të shqetësohet më shumë për veten e tij dhe mbijetesën në pushtet”, tha Vuçiç për Kurtin… Lexo më shumë
LVV fiton zgjedhjet në Kosovë, po tani?
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-09-at-23.04.30.jpeg)
Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje është fituesi i zgjedhjeve të 9 Shkurtit me 41% të votave. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të krijuar qeverinë e re. Çfarë do të ndodhë?