Lajme Arkiva 2003
Aldrin Dalipi: Qeveria e Republikës së Shqipërisë përcolli procesin e zgjedhjeve vendore të ditës së djeshme. Në përfundim të këtij procesi zgjedhor qeveria shqiptare vlerëson se zgjedhjet vendore të këtij viti shënojnë progres të rëndësishëm dhe afirmojnë maturinë e institucioneve demokratike të Shqipërisë. Qeveria gjithashtu përshëndet partitë politike shqiptare për frymën paqësore dhe demokratike që përçuan te elektorati i tyre si dhe për zhvillimin e një fushate zgjedhore të qetë dhe pa incidente. Qeveria shqiptare po ndjek me vëmendje procesin e nxjerrjes së rezultateve të votimit, i cili po ecën mjaft mirë me përjashtim të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, ku moskryerja e deri braktisja e detyrës nga disa komisionarë të opozitës, ka vështirësuar nxjerrjen e rezultatit zgjedhor për këtë bashki dhe për 11 bashkitë e kryeqytetit. Me këtë rast qeveria kërkon nga KQZ-ja zbatimin me korrektësi të dispozitave të kodit zgjedhor për të siguruar veprimin e personave përgjegjës sipas ligjit në fuqi duke i dhënë fund kështu qëndrimeve arbitrare ndaj detyrës zgjedhore në administrimin zgjedhjeve./tvklan.al